TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Dhjetor 2025, 17:05

Sulm me bletë, ujq dhe njerëz robotë, videoja e Kinës që alarmoi Tajvanin (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Sulm me bletë, ujq dhe njerëz robotë, videoja e Kinës
Kina alarmon Tajvanin

Me një video tronditëse të krijuar nga inteligjenca artificiale, ku dronët, robotët dhe kafshët e transformuara në armë shfaqen duke sulmuar Tajvanin, ushtria kineze ka dërguar një tjetër sinjal agresiv përpara stërvitjeve të saj të mëdha ushtarake që kanë rrethuar ishullin me 23 milionë banorë.

Videoja u publikua më 29 dhjetor nga Komanda Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, me titullin propagandistik: "Operacionet e përbashkëta për ndalimin e pavarësisë së Tajvanit". Në pamje shfaqen shqiponja që shndërrohen në dronë, peshkaqenë në nëndetëse dhe bletë që kthehen në mini-dronë vdekjeprurës, duke ndërtuar një skenar futurist por edhe real për kapacitetet e reja të Pekinit.

Ndërkohë, ushtria kineze ka nisur stërvitjen e koduar “Misioni i Drejtësisë 2025”, ku po përdoren forca të shumta, avionë luftarakë, flota detare dhe artileri e rëndë. Këto manovra përfshijnë simulime të bllokadës detare dhe sulme të mundshme ndaj porteve dhe qyteteve tajvaneze.

Ushtria e Tajvanit ka reaguar me përgatitje mbrojtëse, duke vendosur sistemet amerikane HIMARS, me rreze goditjeje deri në 300 km, të afta të synojnë objektiva në provincën kineze Fujian. Gjithashtu, janë vendosur forca detare dhe po monitorohet nga afër çdo lëvizje e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Sipas burimeve nga agjencia Reuters, mbi dhjetëra avionë dhe anije kineze janë futur në zonën kufitare detare të Tajvanit, duke rritur tensionet në mënyrë dramatike. Zyrtarët tajvanezë paralajmërojnë se këto veprime po i afrohen skenarit të një agresioni të drejtpërdrejtë ushtarak, ndërsa Japonia ka lënë të nënkuptohet se një sulm ndaj Tajvanit mund të provokojë ndërhyrje ushtarake nga Tokio.

Stërvitjet vijnë vetëm pak ditë pas vendimit të SHBA për shitjen e armëve në vlerë 11.1 miliardë dollarë për Tajvanin – paketa më e madhe e armatimit ndonjëherë për këtë ishull, që është në qendër të përplasjes gjeopolitike mes Perëndimit dhe Kinës.

kin tajvan robote

Lini një Përgjigje