Sofia hedh hapin final drejt integrimit të plotë evropian mes një tranzicioni plot ankth dhe shpresë. Ndërsa bizneset shohin fundin e burokracisë, qytetarët mbeten të ndarë mes nostalgjisë për monedhën kombëtare dhe frikës nga rritja e çmimeve. Ky udhëkryq monetar nuk është vetëm një ndryshim portofoli, por një provë zjarri për stabilitetin politik dhe orientimin gjeopolitik...
Bankat, bizneset dhe blerësit bullgarë po përgatiten intensivisht këtë javë që t’i thonë lamtumirë monedhës kombëtare “leva”, përpara lëvizjes historike për të adoptuar euron më 1 janar 2026. Ky është një moment i shumëpritur në korridoret e Brukselit dhe Sofjes, por në terren po pritet me një përzierje entuziazmi, mosbesimi dhe në disa qarqe të caktuara, edhe me një ndjenjë të fortë zemërimi popullor.
Bullgaria, ky vend strategjik i Detit të Zi në kufirin juglindor të Bashkimit Evropian, do të shënohet zyrtarisht si anëtari i 21-të që i bashkohet zonës së monedhës së përbashkët. Ky hap u bë i mundur pasi vendi përmbushi me sukses kriteret rigoroze të Mastrihtit gjatë këtij viti, duke mbajtur nën kontroll inflacionin, defiçitin buxhetor brenda kufijve të lejuar, kostot e huamarrjes afatgjata, dhe mbi të gjitha duke garantuar stabilitetin e kursit të këmbimit.
Kjo arritje vjen saktësisht dy vjet pasi Kroacia iu bashkua eurozonës në janar 2023, dhe do ta çojë në më shumë se 350 milionë numrin total të evropianëve që përdorin monedhën unike. Për Bullgarinë, anëtarësimi në eurozonë shkon përtej përdorimit praktik të kartëmonedhave dhe monedhave euro.
Ky hap kjo do të thotë të fitosh një vend me peshë në Këshillin Drejtues të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), institucioni që përcakton politikat monetare dhe normat e interesit për të gjithë kontinentin.
Ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme bullgare janë përpjekur ta bëjnë këtë hap që nga anëtarësimi në BE në vitin 2007, vendi ballkanik me 6.7 milionë banorë mbetet shumë i ndarë. Sondazhet e fundit tregojnë se ndërsa komuniteti i biznesit është kryesisht në favor të kalimit në euro për shkak të lehtësive tregtare, opinioni publik mbetet i luhatshëm dhe i ndjeshëm.
Disa qytetarë kanë frikë se ky tranzicion do të shërbejë si pretekst për rritjen e çmimeve të konsumit ose shfaqen dyshues ndaj establishmentit politik vendas. Ky dyshim vjen në mesin e një krize të thellë politike, që e detyroi qeverinë të jepte dorëheqjen këtë muaj, pas protestave masive kundër rritjes së propozuar të taksave dhe kostos së lartë të jetesës.
Në një vend me lidhje historike, kulturore dhe politike ende të forta me Rusinë, shumë njerëz janë të pakënaqur me atë që e shohin si një “besnikëri të tepërt” ndaj Brukselit. “Unë jam kategorikisht kundër hyrjes në eurozonë. Së pari sepse leva është simboli i monedhës sonë kombëtare dhe pjesë e identitetit tonë”, tha Emil Ivanov, një pensionist nga Sofja, ndërsa bënte pazar.
“Së dyti, kam përshtypjen se Evropa po shkon drejt një paqartësie ekonomike, gjë që u përmend edhe në strategjitë e reja globale të sigurisë. Unë mund të mos jem gjallë kur të ndodhin ndryshimet e mëdha, por rruga drejt dobësimit të BE-së duket e pashmangshme”, thekson ai.
Analistët politikë theksojnë se fushata informuese për promovimin e euros ka qenë e vakët dhe e pamjaftueshme. Sipas tyre, shtresat e moshuara, veçanërisht ato në zonat rurale dhe të largëta, do ta kenë mjaft të vështirë të përshtaten me llogaritjet e reja.
Mungesa e një qeverie të qëndrueshme me mandat të plotë, mund ta ndërlikojë edhe më shumë procesin teknik dhe psikologjik të këtij ndryshimi të madh. Megjithatë, në rrugët dhe qendrat tregtare të Sofjes, përgatitjet janë të dukshme kudo.
Çmimet e produkteve, që nga frutat e freskëta e deri te shishet e verës, tashmë shfaqen me etiketa të dyfishta: në leva dhe në euro. Pankartat e financuara nga shteti shfaqin kursin zyrtar të këmbimit me mesazhin optimist: “E kaluara e përbashkët. E ardhmja e përbashkët. Monedha e përbashkët”.
Edhe reklamat televizive dhe radiofonike e kanë shtuar frekuencën për të përgatitur qytetarët për Orën Zero. Nga ana tjetër, shumë të tjerë e shohin këtë si një hap drejt modernizimit. “Nuk është vetëm një çështje për ne të moshuarit, por për të rinjtë tanë që do të mund të udhëtojnë dhe studiojnë lehtësisht në Evropë pa pasur nevojë të humbin kohë dhe para në pikat e këmbimit valutor”- u shpreh Veselina Apostovlova, një tjetër qytetare në Sofje.
Për bizneset që operojnë me eksport-import, ky ndryshim shihet si një lehtësim i madh administrativ. Natalia Gadjeva, pronare e kantinës “Dragomir Estate” në Luginën e lashtë Thrakase, thotë: “Për biznesin tim, përfitimi kryesor është eliminimi i të gjitha operacioneve burokratike që përfshijnë konvertimin e monedhës dhe rilëshimin e vazhdueshëm të faturave mes euros dhe levës. Kjo do të rrisë efikasitetin tonë dhe do të na integrojë plotësisht në tregun evropian”./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Independent”
Lini një Përgjigje