TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Dhjetor 2025, 12:40

“Pakti” i heshtur: Si Trump po i dorëzon azilkërkuesit rusë në duart e Putinit

Shkruar nga Pyotr Voronov
“Pakti” i heshtur: Si Trump po i dorëzon azilkërkuesit
Trump-Putin

Nga fluturimet speciale tek qelitë e FSB-së: Bashkëpunimi i tërthortë që po mbyll rrugët e shpëtimit për opozitën ruse, duke i shndërruar azilkërkuesit në shifra statistikore dëbimi dhe në ushtarë të detyruar për frontin e Ukrainës...

Më 7 dhjetor, një operacion kompleks dëbimi, i koordinuar me imtësi, u vu në lëvizje nga Shtetet e Bashkuara, duke shënuar një kthesë drastike në politikat e migracionit. Një fluturim special, i mbushur me shtetas nga Irani, Rusia dhe disa vende arabe, la pistën amerikane me një itinerar që deri dje ishte i paimagjinueshëm.

Pas një ndalese teknike në Kajro, shumica e pasagjerëve u transferuan në një avion me destinacion Kuvajtin, ndërsa një grup prej 60 rusësh u izolua dhe u dërgua me një fluturim special direkt drejt Moskës. Avioni preku tokën në kryeqytetin rus në mëngjesin e 9 dhjetorit, duke mbyllur kështu rrugëtimin dëshpërues të atyre që dikur shpresuan se Amerika do të ishte streha e tyre e fundit.

Ky operacion logjistik, është një risi absolute e administratës Trump. Nën drejtimin e Bajden apo paraardhësve të tij, dëbime të tilla kaq të drejtpërdrejta drejt Rusisë nuk ishin praktikuar kurrë. Sot, ky pragmatizëm i ftohtë i dëbimeve masive duket se ka krijuar një “linjë” të heshtur komunikimi mes Uashingtonit dhe Kremlinit, ku njerëzit trajtohen thjesht si mall shkëmbimi.

Dimitri Valuev, kreu i organizatës “Russian America for Democracy in Russia”, konfirmon se ky “dorëzim” ka pasoja të menjëhershme dhe brutale. Sapo zbritën në pistë, të dëbuarit nuk u pritën nga të afërmit, por nga oficerët e FSB-së. Marra në pyetje nisi aty për aty.

Kështu Zair Siamiulin u prangos menjëherë nën akuzën e mashtrimit - një mjet i njohur represiv i Putinit për të asgjësuar kundërshtarët. Ndërkohë, burrave të tjerë të moshës ushtarake iu dorëzuan njoftimet për rekrutim, duke i detyruar të paraqiteshin në zyrat e mobilizimit për t’u dërguar në frontin e luftës në Ukrainë.

Ky fluturim ishte i katërti për vitin 2025, duke dëshmuar se kjo makineri dëbimi funksionon tashmë me rregullsi të plotë.

Fundi i “trajtimit preferencial” dhe makineria e re e dëbimit

Avokatja e imigracionit, Lia Xhamilova, vëren se këto fluturime speciale shënojnë fundin e çdo lloj konsiderate apo kujdesi ndaj azilkërkuesve nga hapësira post-sovjetike. “Gjithmonë është ndjekur një qasje e ashpër ndaj emigrantëve. Por më parë kjo zbatohej kryesisht ndaj latino-amerikanëve apo afrikanëve. Tani, administrata Trump ka hequr dorë nga trajtimi i kujdesshëm i rusisht-folësve. Ata nuk shihen më si viktima të një regjimi, por si numra që duhen fshirë nga listat”, thekson ajo.

Ky ndryshim paradigme është i mirë-financuar. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), ka blerë tashmë avionët e tij Boeing, me synimin që në vitin 2026 procesi të jetë tërësisht i pavarur nga fluturimet çarter.

Ky eliminim i fluturimeve komerciale, i ka mbyllur rusëve edhe “shtegun” e fundit të shpëtimit. Sepse më parë, gjatë tranzitit në vende të treta, shumë prej tyre arrinin të kërkonin mbrojtje diku tjetër ose të arratiseshin. Tani, me avionët qeveritarë, rruga Arizona-Kajro-Moskë është një korridor pa asnjë dalje emergjence.

Kolapsi i sistemit të azilit dhe gjykatat nën urdhra ushtarakë

Statistikat dëshmojnë një rënie të frikshme të shpresës. Nga vetëm 58 rusë të dëbuar në vitin 2022, shifra u rrit në 455 në vitin 2024, ndërsa ky vit pritet të thyejë çdo rekord. Megjithëse rritja nisi që nën presidentin Bajden me mbajtjen e rusëve në qendra paraburgimi, Trump e çoi situatën në ekstrem duke mbyllur programin CBP One.

Tani, kushdo që shkel kufirin arrestohet në vend, pavarësisht kërcënimit politik që e pret në atdhe. Për t’i dhënë fund vonesave ligjore, Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë një hap të paprecedentë: shkarkimin e gjyqtarëve civilë që konsideroheshin “tepër liberalë” dhe zëvendësimin e tyre me avokatë ushtarakë nga Pentagoni.

Këta të fundit, të mësuar me disiplinën e urdhrit, lëshojnë vendime për dëbim në 78 për qind të rasteve. Shkalla e miratimit të azilit për rusët ka rënë nga 72 në vetëm 46 për qind. Gjykatat e reja po injorojnë me vetëdije provat e përndjekjes, siç janë çështjet penale në Rusi apo përfshirjen e aplikantëve në listat e “terroristëve” të Kremlinit.

“Mund të jesh vetë Navalni, dhe prapë në Amerikën e sotme do të të refuzohet azili”, thotë e hidhëruar Xhamilova.

Gjuetia brenda vendit: Kuotat dhe tmerret e paraburgimit

Situata për diasporën ruse brenda SHBA-së është bërë tejet e pasigurt. Agjencia ICE po operon nën presionin e kuotave të rrepta të Stefën Millerit: në fillim 1.000 dhe tani 3.000 ndalime në ditë. Ky presion, i ka detyruar oficerët të kryejnë bastisje masive, duke përdorur agjentë me maska dhe automjete pa shenja dalluese.

Në shënjestër kanë rënë kryesisht shoferët e kamionëve, një profesion ku janë punësuar mijëra emigrantë rusë. Arrestimet po ndodhin kudo: në kopshte fëmijësh, në vendet e punës dhe gjatë kontrolleve rutinë. Oficerët e ICE-së e pranojnë në konfidencë se po arrestojnë njerëz pa asnjë rekord kriminal vetëm për të plotësuar numrat e kërkuar.

“Asgjë personale, na duhet të plotësojnë kuotat”- është bërë motoja e re e sistemit. Për ata që përfundojnë në qendrat e paraburgimit, si ajo e Fort Bliss, realiteti është kthyer në një Ferr. Numri i të ndaluarve është rritur me 70 për qind, duke i detyruar njerëzit të flenë në dysheme, në kushte ekstreme dhe johigjienike. Raportet flasin për dhunë sistematike, tortura fizike dhe izolim të pajustifikuar. Me 30 vdekje të regjistruara brenda një viti - shifra më e lartë në dy dekada - sistemi duket i projektuar për të thyer vullnetin e emigrantëve përpara se të nisën drejt avionit që do i riatdhesojë.

Dënimi kolektiv dhe fundi i iluzionit

Goditja përfundimtare erdhi pas disa krimeve të profilit të lartë të kryera nga shtetas të huaj. Këto ngjarje u përdorën si pretekst nga administrata për të pezulluar aplikimet për refugjatë nga 39 vende, përfshirë Rusinë dhe ish-republikat sovjetike.

Ky vendim ka bllokuar gjithçka: nga ceremonitë e dhënies së shtetësisë deri tek zgjatja e vizave të punës. Sot, rusët në Amerikë që kërkojnë azil gjenden përballë një rreziku ekzistencial. Emigrantët rusë janë të zënë në kurth midis një sistemi amerikan që kërkon t’i dëbojë me çdo kusht, dhe një makinerie ruse që i pret në aeroport me pranga apo me uniformë lufte.

Ky bashkëpunim i tërthortë, po ia shkatërron jetët e atyre që besuan se liria kishte një adresë në Perëndim. Siç thotë Dimitri Valuev: “Duhet të bëhemi gati për kohë edhe më të vështira. Siguria është tashmë një luks që nuk e kemi më!”./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Insider”

Lini një Përgjigje