Takimi me “rusët” në horizont; Zelensky zbulon planin sekret diplomatik
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shpallur një “rrugë paqeje” të re për Ukrainën, duke njoftuar një seri takimesh ndërkombëtare që do të kulmojnë, sipas tij, me një takim të mundshëm me përfaqësuesit rusë.
Në një mesazh të gjatë në kanalin e tij zyrtar në Telegram, ai ka paraqitur një kalendar të detajuar të hapave të ardhshëm diplomatikë, duke theksuar se gjithçka do të zhvillohet “hap pas hapi”, me përfshirjen e SHBA, vendeve europiane dhe, në fazën finale, edhe Rusisë.
“Rustem Umerov ka kontaktuar me të gjithë këshilltarët për sigurinë kombëtare, amerikanë dhe europianë; mendoj se takimi do të mbahet në Ukrainë”, shkruan Zelensky. Pas këtij takimi të nivelit teknik, ai synon mbledhjen e liderëve europianë në një format të zgjeruar të quajtur “Koalicioni i të gatshmëve plus”. Sipas tij, këto bisedime do të përgatitin terrenin për një takim me ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët kryesorë të BE-së.
Zelensky e konsideron të pashmangshme rrugën diplomatike. “Nuk ka alternativë ndaj paqes. Së bashku me amerikanët, ndajmë bindjen se kjo luftë duhet të përfundojë përmes presionit diplomatik mbi Rusinë. Nëse kjo nuk ndodh, lufta do të vazhdojë”, paralajmëron ai, duke shtuar se në çdo rast Ukraina do të vazhdojë të mbështetet nga Perëndimi nëse ndodhet ende në mbrojtje.
Një element kyç i kësaj ofensive diplomatike është referendumi që Zelensky propozon për të miratuar një plan paqeje prej 20 pikësh, hartuar bashkë me SHBA dhe partnerët europianë. Ai e quan këtë hap “firmën historike më të fortë” mbi dokumentin. “Ky nuk do të jetë vendim i një personi apo i 450 deputetëve, por i miliona njerëzve”, thekson ai. Megjithatë, referendumi varet nga një armëpushim 60-ditor, të cilin Moska refuzon ta japë. “Rusia kërkon të vazhdojë presionin me raketa dhe artileri; për këtë po luftojmë”, shton Zelensky.
Presidenti ukrainas ka komentuar gjithashtu qëndrimin rus ndaj Donbassit, duke qenë i prerë: “Nuk është risi që Rusia kërkon Donbassin. Në ëndrrat e tyre, do të donin të mos ishim fare në territorin tonë. Por ne kemi tokën tonë, integritetin tonë dhe do të veprojmë për interesat e Ukrainës”.
Një tjetër pikë kyçe në strategjinë e tij është rindërtimi i vendit. Zelensky ka bërë të ditur se janë siguruar marrëveshje për kompensime nga pasuritë e ngrira të Rusisë në Europë. “Do të marrim 100 miliardë euro në dy vitet e ardhshme, në këste të barabarta. Nëse nuk do të ketë luftë, këto fonde do të shkojnë për rindërtim. Nëse jo, do të përdoren për mbrojtje”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje