TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Shkurt 2025, 21:07

Pasojat ekonomike të paqes që po synon të arrijë Trump në Ukrainë

Shkruar nga Gene Frieda

Pasojat ekonomike të paqes që po synon të arrijë Trump

Bota po rindahet në sfera ndikimi, ndaj demokracitë evropiane - përfshirë një Bashkim Evropian të përçarë - do të duhet të konkurrojnë me Rusinë për udhëheqjen rajonale.

Në fundin e Luftës së Parë Botërore, John Maynard Keynes ishte pjesë e delegacionit britanik në Konferencën e Paqes në Paris, ku Aleatët fitimtarë diktuan kushtet e paqes ndaj Fuqive Qendrore që dolën të mundura nga lufta. Ai doli nga konferenca shumë i shqetësuar.

Siç shkroi më pas në esenë ”Pasojat ekonomike të paqes”, përqendrimi i delegatëve mbi konsideratat politike afatshkurtra, përfshirë dëshirën për ta “ndëshkuar” Gjermaninë për agresionin e saj, do të vinte me koston e stabilitetit afatgjatë social dhe politik në Evropë.

Është një paralajmërim që vlen të kujtohet edhe sot. Sepse fjalët e Keynes në vitin 1919 rezultuan të ishin profetike. Pas nënshkrimit të Traktatit të Versajës, asnjë nga udhëheqësit e tre fuqive aleate nuk rezistoi më shumë se 3 vjet në detyrë.

Gjatë dekadës që pasoi, Gjermania u përball me thellimin e paqëndrueshmërisë, një hiperinflacion të frikshëm që i la vendit depresionit ekonomik, ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme u përpoqën që të përmbushnin kushtet e vështira të traktatit.

Rënia e ndjeshme ekonomike, së bashku me zbehjen e besimit tek qeveria e tyre, nxitën shumë zemërimin popullor dhe ndihmuan në ngjitjen në pushtet të Adolf Hitlerit. Dhe siç e dimë rezultati ishte konflikti më vdekjeprurës në historinë e njerëzimit.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, duket gati të bëjë një gabim të ngjashëm, teksa ai po negocion një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Vetëm se këtë herë, ajo që do të ndëshkohet është viktima dhe jo agresori.

Sigurimi i një ndihme të madhe ushtarake dhe financiare për Ukrainën, së bashku me rolin e saj kryesor në NATO, e cila supozohet të garantojë sigurinë e Evropës, i jep Shteteve të Bashkuara leva të mjaftueshme për të detyruar Rusinë të ulet në tryezën e negociatave.

Por në vend se të angazhohet në diskutime të gjata që të kufizojnë lëshimet e kërkuara nga presidenti rus Vladimir Putin, Trump duket i përkushtuar të ndjekë rrugën e rezistencës më të vogël: t’i japë Putinit gjithçka që ai dëshiron.

Me sa duket, kjo do të përfshinte edhe një marrëveshje për ta mbajtur Ukrainën jashtë NATO-s dhe potencialisht edhe anulimin e garancive të sigurisë për shtetet e vogla baltike. Por edhe lehtësimin e sanksioneve ekonomike, si një lloj karote që synon të “garantojë” paqen në Ukrainë.

Por kjo qasje mund të sjellë efektin e kundërt: duke e lehtësuar riarmatimin e Rusisë, një heqje e sanksioneve mund të përshpejtojë kthimin e Moskës tek agresioni dhe përçarja e rivalëve evropianë. Por për Trumpin, ky është problemi i Evropës.

Bota po rindahet në sfera ndikimi, ndaj demokracitë evropiane - përfshirë një Bashkim Evropian të përçarë - do të duhet të konkurrojnë me Rusinë për udhëheqjen rajonale. Dhe në fakt, çdo operacion paqeruajtës pas konfliktit, do të përbëhet vetëm nga trupat evropiane.

Por kjo logjikë është po aq e gabuar sa ajo e Traktatit të Versajës, dhe ka të ngjarë të ketë efekte të ngjashme katastrofike, duke filluar që me shkatërrimin e sovranitetit të Ukrainës dhe destabilizimin e Evropës.

Për Ukrainën, tërheqja e SHBA-së pas mureve të larta të axhendës së Trump “Amerika e Para” do të nënkuptonte një rrënim të sigurt. Rusia mund të mos ketë fare nevojë të përdorë veprime ushtarake për ta vënë de fakto vendin nën kontrollin e saj.

Edhe vetëm fushatat e keqinformimit mund të minojnë legjitimitetin e autoriteteve në Kiev. Pjesa tjetër e Evropës, do të përballet me një zgjedhje të sikletshme midis angazhimit të gjithnjë e më shumë burimeve për mbrojtjen, dhe investimit në zgjidhjet e sfidave të tjera ekzistenciale, si ndryshimi i klimës dhe plakja e shoqërisë. Menaxhimi i kësaj zgjedhjeje do të jetë sfida më e madhe, si financiarisht ashtu edhe politikisht, me të cilën janë përballur liderët evropianë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Ndërsa ndryshojnë vizionet mbi sigurinë e Evropës, do të testohet si kurrë më parë uniteti i BE-së.

Madje më shumë se sa në vitet 2010, kur kriza ekonomike gati sa nuk e shkatërroi eurozonën. Duke pasur parasysh mungesën e potencialit të rritjes ekonomike të Evropës apo udhëheqjes politike vizionare - mangësi që u shfaqën shumë kohë përpara luftës në Ukrainë - disa vende të BE-së mund të tërhiqen drejt një blloku euroaziatik, të drejtuat nga Rusia dhe Kina, duke premtuar energji dhe mallra të lira, si dhe një standard alternativ të teknologjisë.

Në çdo rast, ditët e një ekonomie të përbashkët e të integruar globale, duket se janë të numëruara tashmë. Paqja në Ukrainë që synon të arrijë administrata Trump, mund të shkaktojë fragmentimin e sistemit financiar ndërkombëtar.

Garancitë e sigurisë, kanë përfaqësuar prej kohësh shtyllën kryesore të dominimit të dollarit amerikan. Për këtë arsye, pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, që forcoi mbështetjen për NATO-n, çoi në forcimin e garancive të sigurisë për Tajvanin, dhe përforcoi primatin e dollarit në tregjet e mbarë botës.

Braktisja e Ukrainës nga Amerika dhe refuzimi i rolit kryesor në NATO, së bashku me heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, do të sillnin efektin e kundërt, duke i nxitur investitorët privatë dhe zyrtarët të kërkojnë alternativa ndaj dollarit.

Duke e dëmtuar besimin tek SHBA-ja dhe përkeqësuar perspektivat e rritjes ekonomike, përdorimi i tarifave tregtare nga Trump do ta përforconte më tej këtë prirje. Kërkesa më e dobët për asete në dollarë, do të çonte në kosto më të larta të huamarrjes për qeverinë dhe kompanitë amerikane.

Dhe rënia e rritjes ekonomike që do të vijë nga kjo, mund t’i nxitë udhëheqësit amerikanë që të fokusohen akoma më shumë tek politikat e gabuara proteksioniste dhe të rrisë presionin ndaj Rezervës Federale për t’i dhënë përparësi rritjes ekonomike mbi stabilitetin e çmimeve.

Ashtu si me Britaninë në kohën e Keynes, cikli i reagimeve negative midis deficiteve më të larta fiskale, rritjes së kostove të huamarrjes dhe rritjes ekonomike më të dobët do të forcojë nxitjen për investitorët dhe kërkuar alternativa ndaj dollarit.

Teksa Evropa është kapluar nga destabiliteti, Kina ka të ngjarë të jetë përfituesja kryesore. Në Konferencën e Paqes në Paris, Keynes pa atë që u shpëtoi kolegëve të tij: Traktati i Versajës, do të krijonte terrenin për një konflikt të ri.

“Lufta që do t’i jepte fund të gjitha luftërave” do të kishte së shpejti një vazhdim. E njëjta gjë mund të thuhet për planet e administratës Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Shënim: Gene Frieda, ish-strateg mbi çështjet globale në PIMCO, aktualisht bashkëpunëtor në Shkollën Ekonomike të Londrës./ Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”

Lini një Përgjigje