
Koncesionarët turq dhe kinezë vjedhin hapur pasurinë kombëtare, ndërsa qeveria Rama i mbron duke lejuar evazion fiskal, vrasje të punëtorëve dhe shfrytëzim ekstrem në miniera...
Në datën 1 maj 2025, naftëtarët e kompanisë koncesionare “Bankers” protestuan masivisht para zyrave të kompanisë në Marinzë, kundër pagave të ulëta dhe mashtrimeve të vazhdueshme gjatë 7 viteve të fundit, ndërkohë që kompania kineze ka fitime marramendëse që arrijnë deri në 400 milionë euro në vit. Qeveria shqiptare heshti dhe vazhdon të heshtë, duke u bërë palë në abuzimet e “Bankers”, që prej 20 vitesh vjedh pasurinë kombëtare të naftës, e eksporton plotësisht pa paguar taksat e rentën minerare, duke lënë punëtorët në kushte ekstreme pune dhe paga qesharake.
Në datën 3 maj 2025, shëmbja e një masivi minerali në fabrikën e Ferro-Kromit në Burrel i mori jetën punëtorit 29-vjeçar Ardit Beshiri. Tragjedia ndodhi për shkak të kushteve të mungesës së sigurisë në punë, përgjegjësi e drejtpërdrejtë e koncesionarëve turq dhe nënkontraktorëve kinezë. Babai i viktimës, Nerim Beshiri, deklaroi se pronarët turq dhe kinezë të kompanisë “Tete Albania-Burrel” u zhdukën menjëherë pas ngjarjes dhe nuk janë parë më në fabrikë. Në vend që të përdorte struktura të specializuara, qeveria dërgoi vetëm 6 ushtarë me kazma dhe lopata për të kërkuar trupin e humbur.
Ndërkohë, një muaj më parë, kryeministri Rama u informua për një raport konfidencial të tatimeve dhe doganave, që tregonte se kompania tjetër turko-kineze “Beralb-Nesko Metal” në Fushë-Arrëz, deklaron vetëm 30% të mineralit që realisht nxjerr dhe eksporton, duke raportuar gjithnjë bilance fiktive me humbje. Kjo vjedhje e hapur e pasurive kombëtare tolerohet hapur nga institucionet shqiptare me urdhër të heshtur nga kryeministri.
Gjithashtu, kompania turke “Yildirim Albania Mining Investments”, që shfrytëzon minierën e kromit në Bulqizë, nuk ka zbatuar asnjë detyrim kontraktual për sigurinë, pagat apo kushtet e punës. Për më tepër, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Punës, policinë dhe prokurorinë, manipulohen shkaqet e vdekjeve dhe aksidenteve në minierë. Edhe këtu turqit raportojnë vetëm gjysmën e prodhimit real dhe nuk paguajnë as rentë minerare, as taksa në pushtetin vendor e qendror, duke shfrytëzuar në mënyrë të pamëshirshme punëtorët.
Në rastin e fundit tragjik të humbjes së jetës së Ardit Beshirit në Burrel, pronarët turq e kinezë u lejuan të largoheshin nga vendi, ndërsa policia regjistroi ngjarjen si "aksident nga pakujdesia". Ky është vetëm një episod tjetër që dëshmon bashkëfajësinë dhe heshtjen e qeverisë Rama përballë abuzimit kriminal të koncesionarëve të huaj./Pamfleti
Lini një Përgjigje