Një vend serioz si Kina, nuk mund të shtrojë në material të shkruar një argument që nuk është konsultuar më parë. Por fakt është që deri tani Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë, për tu hequr si perëndimor deri sa të fitojë zgjedhjet e 11 majit...
Portet kanë qenë një armë e fortë elektorale në zgjedhjet e vitit 2021 për Edi Ramën. Premtoi port turistik në Durrës, Vlorë, Sarandë etj. Ndërkohë për Portin e Durrësit u hartua një projekt i që do të ndërtohet në Porto Romano.
Në fushatën aktuale, kreu i mazhorancës, përkatësisht kryeministri i vendit, ka folur vetëm një moment për një pjesë të këtij argumenti, kur paraqiti piketat e programit. Në këtë dokument thuhet se porti i Porto Romanos, është në bisedime për financimin, ku theksohet se ka negociata me NATO-n që një pjesë e tij të përdoret edhe si port ushtarak i Aleancës.
Ndërkohë nuk flitet asnjë fjalë për të ashtuquajturat porte turistike, ku u bë aq shumë zhurmë për projektin Alabar në Durrës.
Këto ditë, qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe miratoi një marrëveshje me qeverinë e Malit të Zi, për t’i dhënë për 99 vjet Muhamed Alabarit plot 9 njësi të Plazhit të Madh të Ulqinit.
Marrëveshje që është krejt ndryshe nga ajo e Portit të Durrësit, pasi garancinë e saj e ka marrë përsipër shteti përkatësisht, qeveria e Emirateve.
Ndërkaq, në lidhje me Portin industrial të Durrësit, çështja është gjithashtu e komplikuar, Jo vetëm për një paqartësi për çështjen e marrëveshjes së NATO-s, e cila edhe vetë është vënë në dyshim nga amerikanët, por edhe nga një fakt tjetër.
Ka disa kohë që Kina ka kërkuar që të investojë e të marrë pjesë në Portin e Durrësit. Fuqia tashmë kryesore ekonomike botërore, në Ballkan ka dy porte në Greqi, ku më i rëndësishmi është ai i Pireut, dhe kërkon të shtrihet edhe tek ne. Fakti që ky qëndrim i Kinës është bërë publik, tregon se kemi të bëjmë me një akt që është diskutuar ndërmjet rrugëve diplomatike Pekin-Tiranë.
Në dokumentin e shpërndarë edhe në gjuhën shqipe nga ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, theksohet: “Porti i Durrësit është një nga mundësitë më të mëdha për investime të mundshme nga Kina, e cila ka treguar interes për menaxhimin dhe zgjerimin e porteve. Ky port mund të shndërrohet në një qendër logjistike për transportin e mallrave dhe si një lidhje kryesore ndërmjet Kinës dhe Europës Juglindore”.
Përkatësisht Kina e konsideron portin e Durrësit më të rëndësishëm se atë të Pireut që e zotëron prej vitesh, aq sa thekson se do të jetë “portë kryesore për lidhjen mes Kinës dhe Europës Juglindore” pra jo thjesht për Ballkanin. Një vend serioz si Kina, nuk mund të shtrojë në material të shkruar një argument që nuk është konsultuar më parë. Por fakt është që deri tani Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë, për tu hequr si perëndimor deri sa të fitojë zgjedhjet e 11 majit. Duket se kemi të bëjmë me një argument që jo vetëm është diskutuar, e sipas gjasave mund të ketë shkuar edhe më larg. Po pse po e fsheh Edi Rama? I cili me Kinën pati marrëdhënie në kulm të Pandemisë Covid 19, kur mori nga Turqia vaksinën kineze./Pamfleti
Lini një Përgjigje