Megjithëse kanë kaluar 7 muaj nga dorëzimi i konkluzioneve hetimore prej BKH-ës, SPAK nuk ka regjistuar procedim penal ndaj Dorian Sadikut dhe nuk e arreston, megjithëse është provuar roli i tij kryesor e aktiv në grupin kriminal, ndërkohë që ai vazhdon kontrabandën e ilaçeve, mashtimet fiskale e merr miliona euro tenderë…
Hetimi i thelluar i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja, ka nxjerrë në dritë një rrjet të strukturuar kontrabande ilaçesh dhe pastrimi parash, të lidhur me disa kompani farmaceutike të njohura si “Delta Pharma”, “Delta Holding”, “BONDES Holding”, “Novartis” dhe “Metro Farmaci”.
Pikënisja e hetimit ishte kontrolli dhe sekuestrimet e kryera më 28 dhjetor 2023 në zyrat e “Delta Pharma” dhe në rrjetin e farmacive që vepronin në bashkëpunim me të.
Pas afro një viti hetimesh, në dhjetor 2024, BKH dorëzoi në SPAK një raport hetimor të detajuar, ku theksohej roli aktiv i biznesmenit Dorian (Tahiri) Sadiku, kunati i deputetit të PD-së, Kliti Hoti, si personi që menaxhonte aktivitetin ekonomik dhe transaksionet e dyshimta në këtë rrjet.
Sipas dosjes së BKH-së, Dorian Sadiku ka pasur një rol vendimtar në aktivitetin financiar të kompanive të sipërpërmendura, të cilat janë përfshirë në import të ilaçeve kontrabandë, shpërndarje jashtë kanaleve zyrtare dhe fshehje të të ardhurave përmes bilanceve fiktive.
Megjithëse hetimi për Ilir Beqjen çoi në arrestimin e tij më 4 qershor 2024 për korrupsion dhe shpërdorim detyre me fondet e BE-së, Dorian Sadiku nuk është proceduar ende penalisht nga SPAK, edhe pse konkluzionet e BKH-së ndaj tij janë të qarta dhe të dokumentuara.
Nga informacionet që disponon “Pamfleti”, Sadiku ka përdorur të paktën katër kompani në pronësi ose bashkëpronësi, për të importuar, shpërndarë dhe tregtuar ilaçe në mënyrë të paligjshme. Përmes këtyre kompanive, në periudhën 2016–2024 janë importuar dhe shpërndarë rreth 140 milionë euro ilaçe dhe materiale mjekësore, ndërkohë që janë deklaruar vetëm 23 milionë euro, duke krijuar një diferencë të madhe fiskale dhe duke ngritur dyshime serioze për evazion fiskal dhe pastrim parash.
Kompania “Metro Farmaci” ka raportuar për vite me radhë humbje të vazhdueshme, ndërkohë që aktiviteti i saj tregtar dhe importues ka qenë intensiv dhe fitimprurës. Fitimet reale janë zbritur artificialisht në 1-2%, ndërsa pjesa tjetër e qarkullimit është devijuar në mënyrë të dyshimtë, përmes rritjes fiktive të shpenzimeve apo fshehjes së të ardhurave.
Ndërkohë që Sadiku nuk është marrë në pyetje nga SPAK dhe nuk ka pasur asnjë masë ndalimi, kompanitë e tij kanë përfituar tenderë shtetërorë me vlerë rreth 1.4 milionë euro, edhe pas nisjes së hetimeve.
Përballë kësaj situate, mbetet një pyetje thelbësore pa përgjigje:
Kush e mbron Dorian Sadikun dhe përse SPAK nuk ka vepruar ende ndaj tij, ndonëse ka të njëjtën peshë hetimore si Ilir Beqja?
Dhe më tej: A ndikon statusi i kunatit të një deputeti të sapozgjedhur të PD-së në këtë vonesë të çuditshme të drejtësisë?
Në një kohë kur qeveria dhe opozita flasin për moral, pastrim dhe transparencë, ky është një test i drejtpërdrejtë për SPAK-un dhe sistemin e drejtësisë, për të treguar nëse krimi ekonomik do të trajtohet njësoj, pavarësisht pozicionit politik të të afërmve të të dyshuarve./Pamfleti
Lini një Përgjigje