TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Korrik 2025, 11:36

Ilirjan Celibashi nis pagesat për DHL, edhe pse votat e diasporës nuk u dërguan siç ishte kontraktuar

Shkruar nga Pamfleti

Ilirjan Celibashi nis pagesat për DHL, edhe pse votat e diasporës nuk

Kreu i KQZ-së nis pagesat për kompaninë e zarfave të diasporës, duke mashtruar se kontrata u zbatua plotësisht, ndërsa hetimi që premtoi, mungon. SPAK duhet të hetojë këtë aferë që prek të paktën 4.5 milionë euro nga taksat e qytetarëve shqiptarë...

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka nisur ekzekutimin financiar të një prej pazareve më të përfolura të procesit zgjedhor: dërgimin dhe kthimin e zarfave me votat e diasporës përmes kompanisë private postare “DHL International Albania Sh.p.k”, në pronësi të Qirjako Koçollarit.

Sipas burimeve konfidenciale në Ministrinë e Financave, më 15 korrik 2025, Celibashi ka firmosur dhe dërguar në Thesarin e Shtetit një faturë me vlerë 2.5 milionë euro, si pagesë e parë për kompaninë DHL. Pagesa është kërkuar pavarësisht faktit se kontrata nuk është zbatuar plotësisht dhe në shumë raste është shkelur në mënyrë flagrante.

Ligjërisht, çdo pagesë publike mbi vlerën 10 milionë lekë duhet të miratohet nga Ministri i Financave, Petrit Malaj, si autoritet që ka në varësi Thesarin e Shtetit. Për të marrë këtë miratim, Celibashi ka paraqitur një deklaratë të rreme, ku thuhet se kontrata është zbatuar në përputhje të plotë me kushtet dhe standardet e përcaktuara.

Mashtrimi i zbatimit të kontratës

Në realitet, DHL nuk ka kryer vetë procesin e dërgimit dhe kthimit të zarfave. Ajo ka përdorur nënkontraktorë privatë dhe Postën Shqiptare, duke cenuar standardin dhe transparencën e kontratës.

Për më tepër, shumë nga zarfat nuk kanë mbërritur kurrë në adresat e votuesve, ndërsa një pjesë e tyre janë kthyer të paplotësuar. Megjithatë, Celibashi po bën pagesa, sikur çdo gjë të kishte funksionuar në mënyrë perfekte.

Deklarata publike dhe realiteti pas saj

Pas valës së kritikave për dështimin e votës së diasporës dhe për mënyrën si u trajtuan zarfat, Celibashi deklaroi publikisht se DHL nuk do të paguhej pa u zhvilluar një hetim i plotë dhe pa u bërë publik raporti i auditimit.

Por, në kundërshtim me deklarimet e tij, asnjë hetim nuk është kryer dhe asnjë raport nuk është bërë publik, ndërsa pagesa e parë është firmosur dhe pritet të ekzekutohet.

Skema financiare dhe vlera reale e shërbimit

Vlera totale e kontratës me DHL është 11 milionë euro me TVSH, një shumë që sipas llogaritjeve të kryera, rezulton 40% më e lartë se kostoja reale e shërbimit.

Në fakt, shërbimi i kryer nga kompanitë nënkontraktuese është vlerësuar 6.5 milionë euro, përfshirë fitimin, ndërsa pjesa tjetër prej 4.5 milionë euro ngre dyshime të forta për fryrje fiktive dhe vjedhje me skemë tenderimi pa garë.

Një çështje për SPAK-un

Kjo aferë, në kombinim me hetimin ekzistues për 23 milionë euro tenderë për pajisjet e votimit, duhet të shtyjë SPAK-un të hapë një hetim të veçantë edhe për pagesën ndaj DHL, që tashmë po kryhet me dokumente të manipuluara dhe në mungesë të zbatimit real të kontratës.

Ilirjan Celibashi, përballë një llogarie penale të pashmangshme?
Një gjë është e qartë: ai po shpërndan miliona euro të buxhetit të shtetit pa verifikim, pa hetim dhe në kundërshtim me ligjin. E vetmja gjë që mund ta ndalë këtë pazar, është ndërhyrja e menjëhershme e drejtësisë./Pamfleti

celibashi dhl pagesa

Lini një Përgjigje