
Prokurorët dhe gjyqtarët që zbatojnë ligjin përballen me sulme dhe hetime, ndërsa miqtë dhe klientët e Ramës mbrohen nga SPAK dhe Apeli me vendime të porositura...
Kjo është vetëm një ndër rastet që zbulojnë dyfytyrësinë e kryeministrit Edi Rama në raport me drejtësinë, një model i ndyrë i qeverisjes, ku disa gjyqtarë dhe prokurorë shndërrohen në vegla për të shpëtuar miqtë dhe familjarët e tij, ndërsa të tjerët, që nuk i shërbejnë interesave të pushtetit, sulmohen pa mëshirë.
Prej një jave, kryeministri ka nisur një fushatë sulmesh kundër prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli, vetëm pse ajo vendosi të pushojë një çështje të paqenë për një kioskë prej druri në Theth, me arsyetimin ligjor se nuk përbënte ndërtim në beton dhe se prona ishte private. Por ky veprim ligjor u trajtua nga Edi Rama si “cenim i drejtësisë”, duke urdhëruar ministrin Ulsi Manja t’i kërkojë KLP-së nisjen e hetimit dhe ndëshkimin e prokurores, urdhër që u ekzekutua menjëherë.
Ndërkohë, po i njëjti kryeministër ka heshtur për më shumë se dy vite përballë një afere shumë më të rëndë: ndërtimin e resortit “strategjik” të Olta Xhaçkës dhe bashkëshortit të saj Artan Gaçi, në 10 mijë m² tokë, nga të cilat 5 mijë ishin pasuri shtetërore në Himarë. Pas zvarritjes dyvjeçare, më 27 dhjetor 2024, SPAK, përmes prokurorit Ols Dado dhe drejtuesit Altin Dumani, vendosi të mos niste hetim, duke pretenduar se "nuk kishte prova".
Por më 28 shkurt 2025, gjyqtarja e GJKKO-së Flora Hajredinaj e rrëzoi këtë vendim të SPAK, duke e cilësuar si të pabazë dhe duke konstatuar tre vepra penale të kryera nga çifti Xhaçka-Gaçi. Ajo urdhëroi marrjen e tyre nën hetim. Menjëherë pas këtij vendimi, Babloku (siç njihet ndryshe Rama) vërsuli mediat e oborrit kundër gjyqtares Hajredinaj, ndërkohë që SPAK e apeloi vendimin për të shpëtuar çiftin.
Më 14 maj 2025, Gjykata e Apelit e Posaçëm, përmes gjyqtares Iliriana Oldashi, e shfuqizoi vendimin e Shkallës së Parë dhe refuzoi hetimin ndaj çiftit, duke u rreshtuar haptazi në mbrojtje të interesave të qeverisë. Edi Rama heshti sërish – nuk pati asnjë deklaratë, asnjë reagim për këtë skandal, ndërsa Olta Xhaçka u rikandidua për deputete dhe tre ditë pas zgjedhjeve, SPAK pushoi zyrtarisht çështjen.
Kjo hipokrizi e pushtetit thellohet kur e krahasojmë me rastin e kioskës së drurit në Theth. Ndërsa për një ndërtim të vogël dhe ligjërisht të mbështetur, prokurorja Elsa Gjeli sulmohet dhe kërcënohet, për një ndërtim shumëfish më të rëndë e më të paligjshëm, një resort prej betoni mbi pasuri publike, shteti hesht dhe drejtësia ndalohet.
Ky është thelbi i dyfytërësisë së Edi Ramës: ai përdor drejtësinë si armë për të ndëshkuar kundërshtarët dhe për të mbrojtur të tijtë. Një sistem ku prokurorët që mbrojnë interesat e tij ngrihen, ndërsa ata që veprojnë në përputhje me ligjin sulmohen me fushata shpifjesh, hetimesh të porositura dhe intimidim institucional./Pamfleti
Lini një Përgjigje