Pyetjet që autoritetet nuk duan t'u përgjigjen për call center-at e bregdetit...
Operacioni Ghost Call i 13 prillit 2026 çoi në burg dhjetë operatorë call center-ash në Tiranë dhe zbuloi një dëm prej 50 milionë eurosh mbi qytetarët austriakë. Por operacioni u ndal te kryeqyteti. Ndërsa në Tiranë po mbyllen zyrat dhe po çohen në gjykatë operatorët, në Durrës qindra të rinj vijojnë të ulen çdo ditë para kompjuterëve në call center-at e një tjetër karteli, që sipas burimeve pranë grupeve hetimore është në pronësi të Arian Carës dhe Luis Hoxhës.
Pamfleti ka dokumentuar që në shkurt 2026 arkitekturën e këtij karteli kompanish të ngritur mes Londrës, Tiranës dhe Durrësit. Atë që nuk e kishte bërë publike deri tani është shtrirja operative e tij në bregdet: call center-at fizikë, ku punojnë qindra operatorë të rinj, që kryejnë çdo ditë telefonata mashtruese drejt qytetarëve të Bashkimit Europian.
Nga Londra te Blloku: gjashtë kompani dhe një guackë angleze
Në 8 mars 2018, Arian Cara krijoi në Londër kompaninë Laurel Projects Ltd, me adresë në Kemp House, 160 City Road, dhe me administrator Luis Hoxhën. Kompania u shpërbë më 13 gusht 2019, pasi kishte kryer funksionin e saj si kompani guackë për kalimin e fondeve pa lënë gjurmë.
Në regjistrat tregtarë shqiptarë, Cara figuron ortak ose administrator në gjashtë kompani aktive: B-Pro, My Tv, FinTech Solution, Vertex Invest, 2.0 dhe Zero Lounge. Në Vertex Invest dhe FinTech Solution, ortakëria ndahet drejtpërdrejt me Luis Hoxhën. Diversifikimi i aktiviteteve; tregtim i sistemeve kompjuterike, bar-snack, konsulencë juridike, investime në pasuri të paluajtshme; sipas burimeve, shërben për të mjegulluar rrjedhat financiare të të ardhurave të paligjshme.
Zyrat drejtuese në Tiranë ndodhen në Kompleksin Green Park në ish-Bllok dhe sipër lokalit "Cioccolati Italiani". Por, sipas të njëjtave burime, ky është vetëm cepi i dukshëm i kartelit. Fotografia e plotë mbërrin në bregdet.
Durrësi operativ/ Qindra të rinj dhe call center-at që askush nuk i prek
Sipas burimeve pranë grupeve hetimore, Arian Cara dhe Luis Hoxha kanë ngritur në Durrës call center-a ku punojnë qindra operatorë të rinj. Këto struktura nuk janë thjesht zyra administrative ose pika financiare të kartelit; janë qendra operative ku kryhen drejtpërdrejt telefonatat mashtruese drejt qytetarëve europianë, me të njëjtën skemë që autoritetet austriake kanë dokumentuar për Tiranën: platforma të rreme investimesh në forex dhe kriptovaluta, premtime për fitime të shpejta, marrje të dhënash bankare nga viktima.
Dimensioni social i këtij fakti është i rëndë. Qindra të rinj shqiptarë, shumica në fillim të të njëzetave, punojnë çdo ditë në këto qendra, shpesh pa e kuptuar plotësisht natyrën kriminale të skemës ku janë futur. Për ta, është "punë call center-i" me pagë mbi mesataren, me komisione mbi rezultatet, me trajnim në gjuhë të huaja. Por realisht, janë operatorë të një rrjeti që, sipas alarmit të autoriteteve austriake, ka zhvatur dhjetëra miliona euro nga qytetarët europianë.
Sipas burimeve të Pamfletit, një nga qendrat kryesore operative ndodhet pranë ish-Portit të Durrësit.
Ajo që bën këtë situatë më të rëndë se rasti i Tiranës është vazhdueshmëria operative. Ndërsa në kryeqytet autoritetet kanë sekuestruar 443 kompjuterë dhe kanë mbyllur tre qendra, në Durrës nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Operatorët vijojnë të telefonojnë. Kompjuterët vijojnë të ndizen çdo mëngjes. Paratë vijojnë të mbërrijnë.
Tri pyetje që autoritetet nuk mund t'i shmangin më
Pyetja e parë: Operacioni Ghost Call mbylli tre qendra në Tiranë dhe arrestoi dhjetë operatorë. Përse i njëjti hetim nuk është zgjeruar në Durrës, ku sipas burimeve pranë grupeve hetimore operojnë call center-a me qindra të rinj, në strukturat e kartelit Cara-Hoxha?
Pyetja e dytë: Autoritetet austriake, që drejtuan alarmin për platformat ALPHASCRYPTO, CAPITALMARKET24 dhe GOLDCAPITAL24, kanë identifikuar shumicën e viktimave të tyre si qytetarë të zhvatur përmes telefonatave. A është verifikuar nëse një pjesë e këtyre telefonatave janë nisur nga Durrësi, dhe jo vetëm nga Tirana?
Pyetja e tretë: Autoritetet austriake dhe gjermane kanë kërkuar bashkëpunim për të gjitha qendrat e mashtrimit në Shqipëri. A ka marrë Prokuroria Shqiptare një kërkesë të tillë për Durrësin dhe nëse po, pse nuk ka reaguar?
Ne se mashtrojne Europen mire ia bejne. Pak na ka bere Europa ne? Pastaj nga i mesuan keto hilera e trike, nga Europa e Ameriqia, da da.
"Kapitalizmin", pra hilet, i mesuam pas viteve 90' nga greket dhe jugu i Italise. Pra, nga "ajka" e vendeve kapitaliste.