
“Pamfleti” e paralajmëroi më 22 mars 2023/ Kundër skenarit Rama-Nikolla, ka reaguar Zyra e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të SHBA-BE, që mbikëqyr procesin e Vetting, duke i kërkuar zbatimin e Kushtetutës për zgjedhjen kryetarit të ri të KPK me 21 korrik 2023
Është vërtetuar lajmi i publikuar nga “Pamfleti” më 22 mars 2023, se Kryetarja e KPK, Pamela Qirko (Balluku), do vazhdojë të qëndrojë në detyrë deri më 31 dhjetor 2024, megjithëse sipas Kushtetutës duhet të largohet më 21 korrik 2023. Afati fundor, i nisjes së procedurave për zëvendësimin e shefes së Vetting-ut të gjyqtarëve e prokurorëve ishte data 20 maj 2023, me shpallje publike në faqen zyrtare të Kuvendit dhe me njoftim në media, duke bërë të ditur të gjitha hapat dhe kriteret e garës.
Por kryetarja Lindita Nikolla, pa asnjë dyshim me urdhër të Bablokut e në marrëveshje me zv/kryeministren Belinda Balluku, nuk i ka filluar procedurat dhe nuk do t’i bëjë veprimet për zëvendësimin e kryetares së Vetting-ut, Pamela Qirko (Balluku).
Sipas Aneksit të Kushtetutës dhe Rregullores për Veprimtarinë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, asaj i përfundon mandati 3-vjeçar më 20 korrik 2023 pa të drejtë ri-kandidimi, ndërsa procedurat për zëvendësimin fillojnë 2 muaj përpara.
Mirëpo Lindita Nikolla ka vendosur të mos zgjedhë kryetar të ri të komisionit të Vetting të shkallës së parë, me qëllim që motra e Belindës, të vazhdojë drejtimin e këtij institucioni verifikimi dhe seleksionimi të gjyqtarëve e prokurorëve që kanë mbetur. Me skenarin Rama-Nikolla, motra e Belindës do qëndrojë kryetare e Vetting deri më 31 dhjetor 2024, duke ushtruar detyrën 18 muaj pa mandat kushtetues, por duke e kaluar në heshtje.
Me këtë urdhër, Lindita Nikolla shpërfill e nxjerr jashtë loje komisionin shtetëror “AD-HOC”, i cili organizon procedurat dhe garën për zgjedhjen e kryetarit të ri të Vetting në datën 21 korrik të përfundimit të mandatit 3-vjeçar, ku shortin e hedh përfaqësuesi i Presidentit të Republikës.
Zyra e Presidentit Bajram Begaj nuk ka reaguar për mos shpalljen e procedurave me 20 maj 2022, por ka reaguar Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që është misioni përbashkët i SHBA-BE për mbikëqyrjen e procesit të vetting-ut të prokurorëve e gjyqtarëve.
Informacioni që ka ardhur në “Pamfleti”, bën me dije se Lindita Nikolla e ka justifikuar mos fillimin e garës për kryetarin e ri të Vetting, me faktin se pas këtij 3-vjeçari mbeten 18 muaj aktivitet i komisionit, dhe është menduar ta vazhdojë kryetarja aktuale Pamela Qirko (Balluku). Mirëpo përfaqësuesit e ONM, i kanë bërë të qartë Lindita Nikollës, se Aneksi i Kushtetutës, nuk është dëshirë e mendim, por detyrim; për më tepër që Aneksi i Kushtetutës për Vetting-un, është kompetencë zbatimi e përfaqësuesve të SHBA-BE, ndërsa Kuvendi ka vetëm një kompetencë proceduriale: të organizojë garën e zgjedhjes./Pamfleti
Lini një Përgjigje