Ka nisur dje gjyqi në Gjykatën e Tiranës për kapon e grabitjes së pronave në Bërxullë, Ymer Marku, ish kryetar i Komunës Bërxullë, post të cilin e përdori për tjetërsimin pronave publike dhe private me letra false, duke ngritur mbi to biznese me para të dyshimta.
Gjykata e Tiranës ka marrë sot në shqyrtim dosjen e prokurorisë për Ymer Markun, i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Nëse shpallet fajtor, Ymer Marku rrezikon deri në 7 vite burg.
Ymer Marku akuzohet për tjetërsimin e 7500m2 tokë, të cilën më pas u është shitur nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazit.
E gjitha ka nisur në vitin 1998, kur toka ishte pronë e Bashkisë Vorë. Por sipas një plani të koordinuar nga kryeplakun e fshatit Agim Loci dhe nga krye komunari Ymer Marku, toka ka shkuar për Kujtim Allmetën. Në vitin 2005, Ymer Marku ka dërguar për verifikim në Këshillin e Qarkut Tiranë, dokumentacionin për disa persona, të idendifikuar vetëm me inicialet: A.A., P.A. dhe Sh.A. Në cilësinë e kryetarit të Komunës Bërxullë së bashku me kryeplakun e fshatit, Agim Locin, Marku ka nënshkruar planin e rivlerësimit të këtyre pasurive.
Në vitin 2015, Kujtim Balliu specialisti i Zyrës së Menaxhimit dhe Mbrojtjes së Tokës ka konfirmuar kalimin e tokës tek Allmeta, e gjitha me dijeni të Ymer Markut. Po sipas Prokurorisë, Kujtim Balliu, i cili nga muaji Korrik 2011- Shtator të vitit 2015, ka qenë me detyrë Përgjegjës i Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Komunës Bërxullë, ka përpiluar shkresat për regjistrimin e tokës dhe ka dërguar Agjencia e Trajtimit të Pronës shkresën origjinale pa numër në emër të Allmetës.
Dosje e dytë për pastrim parash
Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim tjetër për Ymet Markun për pastrim parash. Prokuroria ka zbuluar deri në këtë fazë të hetimit fshehjen e një pasurie apartament me vlerë mbi 100 mijë euro në Tiranë. Kjo pasuri përdoret dhe zotërohet nga Ymer Marku, por është regjistruar në emër të një personi tjetër, me qëllim shmangien nga përgjegjësia penale e ish-zyrtarit të komunës Bërxullë.
Marku ka fshehur edhe një tjetër apartament në emër të një personi të afërt, por që e përdor vetë. Ymer Marku, ka pasur detyrimin ligjor të deklaronte pasurinë si kryetar komune, por edhe si kandidat i PD në bashkinë Vorë për zgjedhjet lokale.
Deklarimin e këtyre dy apartamenteve ai nuk e ka kryer dhe për pasojë pritet që prokuroria e Tiranës, gjatë këtyre ditëve ti drejtohet me një kërkesë gjykatës për sekuestrimin e këtyre dy apartamenteve.
Dosje në SPAK
Teksa Prokuroria e Tiranës e ka marrë tē pandehur për grabitje pronash, SPAK ka regjistruar ndaj Ymer Markut një tjetër kallëzim penal. Prej disa muajsh SPAK ka nisur një hetim ndaj ish-zyrtarit të lartë, Ymer Marku, për akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.
Kallëzimi është depozituar në SPAK nga Arben Tafa, i cili më parë ka shërbyer në funksionin e hidraulikut tek ish-komuna Bërxullë. Gjatë kohës kur komunën Bërxullë e drejtonte Ymer Marku, Arben Taga është punësuar prej këtij të fundit si hidraulik i kësaj komune.
Por gjatë kësaj kohe, ka rezultuar se emri i hidraulikut Arben Tafa, është përdorur si maskim për tjetërsimin e disa pronave që ndodhen në zona të ndryshme të Bërxullës. Në emër të Arben Tafës, është regjistruar me dokumente të falsifikuara një sipërfaqe toke prej 4 mijë metrash katror.
Dokumentet tregojnë se kjo sipërfaqe që ndodhet në fshatin Brukë, është në pronësi të shtetasit Arben Tafa, i cili ka dyshime të forta se nuk është pronari real i kësaj pasurie të paluajtshme./Pamfleti
Lini një Përgjigje