Moisi Lazaj rrethon me forcë tokë shtetërore të refuzuar nga Këshilli Bashkiak, ndërton pa leje në një nga zonat më të shtrenjta të bregdetit, ndërsa shteti hesht…
Një ngjarje tronditëse po zhvillohet në një nga zonat më të shtrenjta dhe më të lakmuara të bregdetit shqiptar, ku ndërtuesi Moisi Lazaj ka zaptuar tokë shtetërore në mënyrë brutale dhe po ndërton pa asnjë të drejtë ligjore, duke sfiduar hapur ligjet, institucionet dhe vetë autoritetin e shtetit shqiptar.
Kur nuk arriti ta merrte tokën përmes një vendimi të Këshillit Bashkiak, ai e mori me forcë. Kur nuk ia doli me ligj, e bëri me dhunë. Ajo që po ndodh nuk është më një shkelje administrative, është një veprim mafioz i pastër, i shoqëruar me heshtjen e turpshme të të gjitha strukturave shtetërore, nga ato locale e deri tek Inspektorati Ndërtimor dhe te organi i akuzës.
Ngjarja ka ndodhur në zonën elitare të Ujit të Ftohtë në Vlorë, një prej pikave më të shtrenjta të pasurisë bregdetare në Shqipëri, ku çmimi i një apartamenti kap shifrën 3 mijë euro për metër katror.
Moisi Lazaj, ndërtues dhe pronar i kompanisë “Lazaj 2002”, pasi mori një leje ndërtimi në janar për një truall, tentoi të përvetësojë edhe një sipërfaqe tjetër toke shtetërore për të zgjeruar projektin.
Më 29 janar 2025, Këshilli Bashkiak i Vlorës i hodhi poshtë kërkesën me vota unanime, madje edhe me votat e këshilltarëve socialistë, çka tregon se rasti ishte flagrant dhe i pajustifikueshëm. Në mbledhje u denoncuan dyshime serioze për falsifikim të metrave në dokumentacion, ku pretendimet për sipërfaqe nuk përputheshin me realitetin fizik në terren.

Në vend që të respektonte vendimin institucional, ndërtuesi nisi planin kriminal të zaptimit fizik të pronës. Në kulmin e fushatës zgjedhore, kur vëmendja e institucioneve ishte shpërqendruar, Moisi Lazaj ndërhyri në terren, ngriti një mur betoni dhe rrethoi një sipërfaqe të konsiderueshme toke publike, mbi të cilën nisi ndërtime pa leje. Ai veproi me arrogancën e dikujt që nuk ka frikë nga ligji, nga shteti apo nga ndëshkimi, duke e trajtuar territorin publik si pronë private. Ky veprim përbën një uzurpim të hapur të pasurisë publike dhe një akt ndërtimi të paligjshëm, i ndëshkueshëm penalisht.
Burime të sigurta konfirmojnë se ndaj Moisi Lazajt po përgatitet një kallëzim penal për disa vepra penale njëherazi:
-Ndërtim të paligjshëm në pronë publike,
-Zaptim prone shtetërore me dhunë,
-Falsifikim dokumentacioni për qëllime përfitimi,
-Shkelje flagrante të vendimit të Këshillit Bashkiak.
Në dokumentet e kërkesës së tij, janë evidentuar shtesa fiktive të metrave, me qëllim legalizimin e sipërfaqeve që nuk ekzistojnë realisht, një metodë klasike e ndërtuesve të lidhur me segmentet e korruptuara të administratës.
Dyshimet janë të qarta: kemi të bëjmë me një skemë të mirëorganizuar të falsifikimit për të uzurpuar pasuri publike dhe për ta kthyer atë në truall privat ndërtimi, në një nga pikat më strategjike të bregdetit jugor.
Për këtë rast kërkohet ndërhyrje e menjëhershme e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ndalimi dhe arrestimi i ndërtuesit për ndërtim pa leje, si dhe hetimi i thelluar i të gjithë funksionarëve që kanë firmosur, heshtur apo ndihmuar në këtë grabitje të pronës publike.
Ky nuk është më një rast urbanistic, është një akt që sfidon shtetin dhe hap derën për precedentë të rrezikshëm.
Nëse ky zaptim nuk ndëshkohet dhe Moisi Lazaj nuk ndalohet menjëherë, atëherë çdo ndërtues në Shqipëri ka të drejtën morale të ndërtojë ku të dojë, duke injoruar Këshillin Bashkiak, duke rrëzuar ligjet në fuqi dhe duke e zaptuar me beton atë që nuk e merr dot me ligj. Heshtja e institucioneve përballë këtij rasti do të thotë pranim. Dhe kur shteti pranon të shkelet kështu, prona publike nuk ekziston më, është thjesht një tokë e lirë për klientelën e ndërtimit, e kthyer në plaçkë në duart e më të fortit./Pamfleti


Lini një Përgjigje