TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 3 Korrik 2024, 11:26

Ku ndryshon Edlira Bode e Spitalit të Traumës nga Edmond Gashi i Onkologjikut

Shkruar nga Pamfleti
Ku ndryshon Edlira Bode e Spitalit të Traumës nga Edmond Gashi i
Edlira Bode /

Spitali paguan shtesë për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, sepse drejtoresha Edlira Bode ka bërë pazar me koncesionarin si dhe krijon mungesa të qëllimshme në ilaçe e vonesa në operacione, skanim, grafi e analiza, duke i dërguar pacientët në farmacitë, klinikat e spitalet private...

Prej 1 jave, shoqëria shqiptare është tronditur prej makabritetit të një grupi mjekësh të Spitalit Onkologjik, e njohur si banda kriminale “Mond Gashi”, që sillte vërdallë, mashtronte, nuk trajtonte dhe nuk operonte pacientët me kancer, nëse nuk paguanin nga 3000 Euro.

E njëjtë si banda “Gashi” e Spitalit Onkologjik, vepron dhe banda “Edlira Bode” e Spitalit të Traumës, ku drejton Edlira Bode, ish-deputete e PS-së dhe mikeshë “serenatash” e Niko Peleshit.

Sipas denoncimeve të pacientëve që shpëtojnë nga vdekja, të mjekëve brenda këtij spitali, anti-krimit e raportit të KLSH-së; rezulton se te Spitali i Traumës, ka vjedhje me tenderët, shitje ilaçesh e materialesh mjekësore në farmaci private, shpërfillje pacientësh, përdorim ilaçesh të skaduara etj.

Llumin korruptiv, mungesat e pajisjeve, ryshfetet, kushtet mizerje në dhoma, madje shpërfilljen dhe deri mungesën e ujit e letrës higjienike në Spitalin e Traumës; më 26 prill 2022 i denoncoi shtetasi holandez Ton Daans, me një letër publike drejtuar kryeministrit Edi Rama.

Ai i bëri të ditur kryeministrit, se në repartin e urgjencës nuk kishte as kompjuterë dhe të dhënat e pacientëve shkruheshin në letra dore e nuk kishte as ujë e as letër higjienike në tualete; në repartin e radiologjisë ka aparat me “Rreze X” jashtë standardit prodhim i vitit 1970; duhet të gjunjëzohesh në dysheme, për të vendosur krahun tek aparati, mbasi nuk ka karrige profesionale e as stol.

Në dhomën e  pacientit gjatë dhe pas qepjes së plagëve, shtrati nuk kishte çarçafë të pastër e as jastekë; ushqimi për pacientët ishte tmerr; nuk kishte fasho e as rrip mjekësor për krahun në allçi dhe mungonin ilaçet, e të gjitha këto bliheshin privatisht nga pacientët.

Kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj asaj letre, ish-ministrja Ogerta Manastirliu nuk mund të fliste pa lejen e tij, ndërsa drejtoresha Edlira Bode, jo vetëm nuk u shkarkua nga detyra, por u zgjodh në strukturat e larta të PS-së dhe u nderua me certifikatë aftësie, ndershmërie e suksesi.

Por gjendja e mjerueshme vazhdon, vjedhjet me tenderë vazhdojnë dhe drejtoresha Edlira Bode vazhdon në detyrë, megjithëse në muajin shtator 2023, KLSH konstatoi shumë krime ekonomiko- financiare e mangësi shërbimesh dhe kërkoi shkarkimin e saj.

KLSH, thotë se në Spitalin e Traumës ka korrupsion; në shërbimet bazë ka mungesë pajisjesh, ilaçesh e materialesh ortopedike, megjithëse ato figurojnë të blera 20 milionë Euro për 5 vite; ndërsa pas emërimit në detyrë më 15 shtator 2021, drejtoresha Edlira Bode ka larguar mjekët specialistë e me përvojë, duke i zëvendësuar me mjekë pa përvojë e pa kualifikime.

Në Spitalin e Traumës, 80% e ilaçeve janë të skaduara; pacientëve u janë dhënë mjekime të kundërta; nuk u janë dhënë kurat komplet; në morg nuk ka frigoriferë, ndërsa gjaku, megjithëse është blerë e mbledhur nga dhuruesit, është zhdukur me lejen e drejtoreshës Edlira Bode.

Ka shpenzime shtesë për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, mbasi prej 3 vitesh në detyrë, drejtoresha Edlira Bode, ka bërë pazar me koncesionarët e lejon të mos çojnë setet mjekësore e i deklaron sikur i kanë çuar, si dhe krijojnë mungesa të qëllimshme në ilaçe dhe vonesa në operacione, skanim, grafi e analiza, duke i çuar pacientët në klinikat e spitalet private.

Në vendimin e KLSH-së, dërguar kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Ogerta Manastirliu, thuhet: - Rekomandohet shkarkimi i menjëhershëm i drejtoreshës Edlira Bode, për kryerje dhe lejim abuzimesh të rënda e të shumta financiare në tenderët, shkaktim të mangësive e cenim të shërbimit mjekësor./Pamfleti

edlira bode spitali i traumës mond gashi onkologjiku

Lini një Përgjigje