Është detyra e politikave shëndetësore të sigurojnë minimalisht dhe maksimalisht një fund ose shërim nga sëmundjet kancerogjene, ku individi i çfarëdo lloj niveli, shkollimi, pozite, prejardhjeje apo besimi të ndjehet i respektuar nga sisitemi”...
Në një darkë me miq të përbashkët 12-13 vjet më parë në një diskutim informal i sugjerova (jo këshillë) një miku në atë kohë në politikë, një problem që më mundonte në atë kohë edhe sot.
Me pak fjalë, për mua si profesionist, politika shëndetësore duhet të bënte të pamundurën për një ndryshimin rrënjësor në menaxhimin e sëmundjeve kancerogjene dhe shprehimisht i thashë “në një shoqëri civile individët nuk kanë pse e blejnë “fundin e tyre me para”. Është detyra e politikave shëndetësore të sigurojnë minimalisht dhe maksimalisht një fund ose shërim nga sëmundjet kancerogjene, ku individi i çfarëdo lloj niveli, shkollimi, pozite, prejardhjeje apo besimi të ndjehet i respektuar nga sisitemi”. Natyrisht që ka ndryshime të rëndësishme, por nuk më takon mua ti komentoj sot.
Si profesionit në këtë punë prej 40 vjetësh nuk do ta kisha besuar kurrë dhe nuk e besoj edhe tani që “Mjekët do të vidhnin edhe vdekjen”
Mjeku, sot edhe më shumë se në të kaluarën, luan një rol me rëndësi të paçmueshme në edukimin e çdo individi si dhe të shoqërisë në kuptimin e saj më të gjerë. Kjo deklaratë, bazohet në një analizë të parë dhe jo të thelluar, thjesht duke iu referuar të dhënave të thjeshta. Në të vërtetë, ky fakt na fton të reflektojmë se pavarësisht vështirësive dhe sfidave të veprimtarisë profesionale të mjekut, ato nuk mund dhe nuk duhet të çojnë në një rezultat të përbashkët: të nxjerrin në pah vetëm sakrilegjin e trashëgimisë shkencore dhe etike të çdo profesionisti.
Nuk bëhet fjalë thjesht për lavdërimin e mjekut dhe as për fshehjen e paaftësive apo të metave që mund të mbartë aktiviteti i çdo profesionisti, sidomos profesioni aq kompleks i mjekut. Qëllimi që unë synoj përmes këtyre rreshtave është shpresa për të hedhur disa ide për ndërgjegjësimin dhe informimin për ofruesit e këtij shërbimi dhe për komunitetin e pacientëve, ku interesi parësor i të cilëve është të ndjehen të kënaqur dhe të vlerësuar, që është njëkohësisht edhe një nga qëllimet e shërbimit shëndetësor.
Nëse ofrimi i kujdesit dhe garantimi i shëndetit të pacientit është fokusi absolut që duhet të drejtojë mjekun gjatë ushtrimit të profesionit të tij, atëherë tentativa për të evidentuar rrugët e duhura në arritjen e objektivit të dëshiruar nuk mund të konsiderohet një përpjekje e pavlerë.
Evidentimi i këtyre rrugëve kalon përmes disa pyetjeve që një profesionist i mirë nuk mund t`i nënvlerësojë. Diskutimet mbi figurën e mjekut kanë qenë të panumërta, duke analizuar këtë figurë më tepër në kënd vështrimin profesional sesa në atë moral, apo më mirë të themi në këndvështrimin e humanizmit të mjekut.
Të dy këto aspekte duhet të jenë pjesë e aktivitetit të përditshëm të një mjeku të mirë, duke bashkëvepruar sipas rregullave të komplementaritetit ideal. Nëse është e vërtetë se përgatitja profesionale do të vijojë të jetë parametri më i vlefshëm për dallimin e aftësisë së mjekut, është po aq e vërtetë se mjekësia nuk konsiston vetëm në administrimin e medikamenteve dhe kryerjen e procedurave burokratike, por bazohet gjithashtu mbi diagnostikimin e saktë dhe mbi raportin e mjekut me besimin e pacientit.
Pa dashur të evokoj stereotipin e mjekut të cituar dekada më parë, të veshur me karakteristika dhe virtyte të një profesionisti, i cili përfaqësonte një pikë referimi për komunitetin, më duhet të nënvijëzoj rëndësinë e sjelljes dhe etikës së mjekut ndaj pacientit të tij.
Nuk ka asnjë dyshim, duke qenë se po e njëjta literaturë shkencore ka evidentuar rëndësinë dhe përfitimin e pamasë nga raporti mjek-pacient, që mbështetet në logjikën e konfidencialitetit. Kjo nënkupton se besimi, konfidenca dhe familjarizimi duhet të jenë shtyllat solide mbi ku do të ngrihet një raport i tillë.
Cilat janë përfitimet që do të rrjedhin nga një qasje e tillë? Përfitimet lehtësisht të dallueshme në favor të pacientit: rritjen e sigurt të standartit të përformancës të favorizuara nga njohja më e mirë të historikut klinik dhe e personalitetit të pacientit.
Në këtë mënyrë, pacienti do të përballet me trajtimin dhe këshillimin me besimin e bashkëpunimit dhe do të jetë më i qetë psikologjikisht, këto të garantuara nga vlerësimi që pacienti ka ndaj profesionistit të shërbimit mjekësor. Jo më pak të vlefshme janë edhe efektet pozitive që avantazhojnë aktivitetin e ofruesit të shërbimit mjekësor.
Nëse “logjika e re” e raportit mjek- pacient do të frymëzohet nga kriteri i besimit profesional, sikundër u shtjellua më sipër, ky këndvështrim është më domethënës dhe më evident në raport me përkufizimet e vjetra. E thënë me pak fjalë, për fat të keq mund të konfirmojmë pa më të voglin dyshim se situata aktuale është larg performancës së lartë profesionale që drejtuesit janë në gjendje të ofrojnë: aktualisht mjaftohen me performancën e ashtuquajtur klienteliste. I referohem pyetjes së vazhdueshme të recetave të thjeshta, apo dhe favore të një natyre tjetër që kanë shumë pak të bëjnë me shëndetin e qytetarit; shërbimi mjekësor duhet te jetë i predispozuar pikërisht për këtë të fundit.
Unë i ndikuar nga kujtimet atavike familjare “pseudomisionar” theksoj edhe njëherë se nuk vë në diskutim profesionalizmin i mjekëve, por braktisjen e ndjenjave dhe moralit, tashmë të konsoliduar prej vitesh dhe shpesh të favorizuar dhe ushqyer nga vetë profesionistët e kësaj fushe.
Askush nuk synon të mohojë përgjegjësitë që rëndojnë mbi profesionistin, i cili në disa raste përfshihet në keqpraktika që s`janë gjë tjetër veçse të dënueshme. Një profesor i vjetër në Londër 30 vjet më parë na thoshte “gjatë punës tonë, jo të gjitha qëllimet tona të mira përfundojnë mirë (sidomos në procesin e lindjes) por kur një mjek bën një keqpraktikë mjekësore, zëvendëson zotin.. dhe zakonisht dënohet nga zoti i vërtetë, pasi ky anticivil është produkt i një kostumi social dhe një shkolle jo të besueshme. Politikat drejtuese janë të paafta të drejtojnë idetë dhe veprimet që shtyhen nga motive të fitimit”.
Praktika mjekësore duhet të evitojë rrezikun për t`u konsideruar thjesht dhe vetëm një profesion. Keqpraktika e qëllimshme mjekësore çdo ditë e më shumë po bëhet e lexueshme sidomos në shërbimet private të të gjitha niveleve, por edhe në spitale.
Në një AUDIT të bërë 2 vjet më parë me gratë që kanë lindur në... në 74% të rasteve konstatoheshin veprime të personelit të pambështetura në protokollove aktuale (Vijon...)/Pamfleti
Shënim: *Prof. Dr. Astrit Bimbashi, Shef i Shërbimit të Obstetrikës SUOGJ “Koco Gliozheni”
Lini një Përgjigje