Të dhëna dhe pikëpyetje, pse shkaktoi kaq shumë debat këtë herë censi i popullsisë...
Pas disa herë shtyrjeje, Instituti i Statistikave publikoi dje të dhënat e censit të popullsisë, të dhëna që shkaktuan mjaft debate. Sipas INSTAT, në Shqipëri jetojnë rreth 2.4 milionë banorë, afro 400 mijë më pak se censi i fundit i vitit 2011. Por kjo shifër ka shkaktuar shumë reagime, duke parë fluksin e lartë të largimeve jashtë vendit vitet e fundit.
Mjafton të shohim baret dhe restorantet dhe kuptohet se në Shqipëri nuk ka mbetur kmëbë njeriu. Thuajse të gjithë të rinjtë janë jashtë. Megjithatë për të kundërshtuar të dhënat e INSTAT duhen fakte dhe të dhëna.
Kush më mirë sesa EUROSTAT mund të përdoret për të vënë në pikëpyetje të dhënat e INSTAT. Në vitin 2021, EUROSTAT nxori një raport, ku shprehej se nga viti 2008 deri më 2021, nga Shqipëria ishin larguar më shumë se 700 mijë shqiptarë. Ndërkohë kemi vitet 2022 dhe 2023 që EUROSTAT nuk i ka, ku edhe në këto vite ka pasur një fluks të lartë largimesh. Pra kë duhet të besojmë? INSTAT që thotë janë larguar 400 mijë shqiptarë, apo EUROSTAT që thotë kanë ikur gati dyfish.
Elementi tjetër është se nuk përputhen shifrat në bazë të të dhënave të tjera. Për shembull, nëse shohim shifrat për fetë, rezultati në fund del 2 402 113 banorë. Ndërkohë sipas INSTAT në vend ka 2 412 113 banorë.
Kemi më pas të dhënat e votimit. Numri i shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet e vitit 2021 ishte afërsisht 3.59 milionë vetë (3,588,869), ndërsa numri i atyre që morën pjesë në votime ishte 1.66 milionë (1,662,253). Ndërsa është e sigurt se një pjesë jo e vogël e gati 1.93 milionë votuesve që nuk morën pjesë në votime, nuk jetojnë në Shqipëri. Pra edhe nëse fusim personat nën 18-vjeç, sërish kemi një diferencë të madhe në shifra.
Pikëpyetja më e madhe është vonesa. Pse u shty me 8 muaj nxjerrja e të tilla rezultateve? Në Kosovë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, etj, të dhënat dalin brenda pak kohësh. Vetëm këtu duhet 1 vit kohë. Përveç kësaj, kemi vetëm shifrat e dhëna nga INSTAT, asnjë dokument që të vërtetojë shifrat.
Pikëpyetja tjetër është tek anketimi. Sa i saktë ka qenë ai? Në adresë të “Pamfletit”, por dhe më gjerë ka pasur shumë nga ata që janë ankuar kur u bë anketimi se anketuesit nuk u kanë shkuar në banesë. Po ashtu shumëkush nga ne ka të njohur që shprehen se nuk janë bërë pjesë e anketimit. A janë mbushur formularët në zyrë? Po ashtu e dimë shumë mirë se si u bën anketimi, formularët janë mbushur shpejt e shpejt te dera, pa kryer një proces të plotë. Madje, sipas denoncimeve te ne, anketuesit nuk trokisnin fare, por fusnin një letër poshtë derës që t’i merrje në telefon. Nëse nuk i merrje shkruanin se apartamenti ishte i pabanuar.
Për të realizuar këtë census u dhanë gati 17 mln euro. Nga këto para 9.35 milionë euro janë marrë nga Buxheti i Shtetit, 4.8 milion euro janë donacione nga Bashkimi Evropian, 1.59 milion euro nga SIDA, 726.7 mijë euro nga SDC dhe 16.9 mijë nga UNFPA. A i justifikojnë të dhënat gjithë këto para, apo shkuan në xhepat e dikujt? /Pamfleti
Lini një Përgjigje