
KLSH ka vendosur të hedhë dritë nëse fondet që janë dhënë nga taksat e qytetarëve kanë shkuar atje ku duhet apo kanë shkuar në xhepat e dikujt tjetër...
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur të hedhë dritë mbi kostot financiare të reformës në drejtësi. Padyshim një ndër proceset më të kushtueshëm është ai i vetingut, proces që ka nisur që në vitin 2017 dhe mbyllet në fund të këtij viti.
KPK gjithmonë ka qenë objekt debati, pasi është shkalla e parë e vetingut dhe në shumë raste vendimet kanë qenë të debatueshme. Po ashtu nuk kanë munguar as skandalet.
Rasti më i freskët është se si anëtarët e KPK ikën për piknik në një resort luksoz në Jug dhe mbajtën të fshehtë për vite me radhë emrin e subjektit që i kishte financuar.
Po ashtu ka pasur shumë tenderë, si në anën infrastrukturore ashtu dhe për luksin e anëtarëve të KPK. Por KLSH ka vendosur të hedhë dritë nëse fondet që janë dhënë nga taksat e qytetarëve kanë shkuar atje ku duhet apo kanë shkuar në xhepat e dikujt tjetër.
Sipas informacioneve, një grup audituesish të KLSH janë stacionuar sot në ambientet e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, aty ku janë zyrat e KPK dhe kanë marrë të gjithë dosjet financiare që nga viti 2017 e deri më sot. Sipas informacioneve, do të kalohet në sitë çdo lëvizje financiare dhe çdo qindarkë e marrë nga buxheti.
Sipas statistikave që nga 18 shkurti i vitit 2018 e deri në 31 korrik të vitit 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 783 vendime për gjyqtarët prokurorët dhe ndihmësit ligjorë, ndërkohë që mbeten për të kaluar këtë filtër në shkallën e parë edhe 17 subjekte.
Vettingun e kanë kaluar me sukses 358 magjistratë, nga të cilët 165 gjyqtarë, 163 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD, 2 inspektorë në KLGJ dhe 26 ndihmës/këshilltarë ligjorë.
Ndërkohë që janë dhënë 261 vendime për shkarkim nga detyra për 145 gjyqtarë, 1 ish-gjyqtare në GJL, 110 prokurorë, 1 inspektor në KLGJ dhe 4 ndihmës ligjorë. Procesi i vetingut është ndërprerë për 103 gjyqtarë e prokurorë pas kërkesës së tyre me dorëheqjeje nga detyra, nga të cilët për 61 gjyqtarë, 27 prokurorë, 1 ish- prokuror, 13 ndihmës ligjorë, 1 ish-inspektorë në KLD.
50 vendime janë për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar. Procesi i vetingut në KPK, i cili nisi rreth 6 vite më parë, u nda në tri faza ku dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra. /Pamfleti
Lini një Përgjigje