E veçanta e këtyre shtesave në pagat e shefave në kryeministri, është fakti që vendimi i qeverisë u miratua, hyri në fuqi dhe u publikua në Fletore Zyrtare me urgjencë brenda datës 1 gusht 2024; ndërsa shtesa e pagave do bëhet nga data 1 korrik 2024...
Ditën e parë të nisjes së pushtetarëve në plazhe, Babloku ka menduar dhe për rritjen e pagave të vartësve të tij në kabinetin kryeministror deri në masën 30%, ku paga më e ulët është 1500 Euro.
Në mbledhjen fundit të qeverisë për këtë sezon, me Vendim Nr. 325, datë 1 gusht 2024, kryeministri Edi Rama ka firmosur shtesë page mujore për sekretarin e Përgjithshëm Engjëll Agaçi, për drejtorët e departamenteve mes tyre, edhe Frida Krifca si dhe për shefa e specialistë të sektorëve.
Për të realizuar këtë shtesë page për zyrtarët e kryeministrisë, Babloku ka ndryshuar duke bërë një shtesë, në Vendimin Nr. 325, datë 31.5.2023, me të cilin, nga data 1 prill 2023 u dyfishuan pagat e deputetëve dhe ministrave.
- Me këtë vendim, Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, i shtohen 650 Euro në pagë mujore.
- Shtohen 750 Euro në pagën e Drejtorit të Departamentit që harton dhe kalon për miratim vendimet, aktet normative e urdhrat që nxjerr Këshilli i Ministrave.
- Shtohen 700 Euro, në pagën e Drejtorit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, që planifikon trojet e takat që dhuron qeveria dhe firmos lejet e ndërtimit.
- Shtohen 600 Euro, në pagën e drejtorëve të drejtorive të përmbajtjes lëndore të çështjeve që trajton kryeministri.
- Shtohen 450 Euro, në pagat e koordinatorëve, përgjegjësve e specialistëve në njësitë organizative, të përmbajtjes së çështjeve që trajton kryeministri, ku bën pjesë dhe ish-ministrja Frida Krifça e cila prej 10 muajsh punon në kabinetin e kryeministrit Edi Rama.
- Shtohen 300 Euro, në pagat e drejtorëve të drejtorive, përgjegjësve dhe specialistëve të sektorëve, që përpunojnë vendimet, aktet normative dhe urdhrat që nxjerr Këshilli i Ministrave.
- Shtohen 250 Euro, në pagën e Drejtorit të Kabinetit të Kryeministrit dhe drejtorëve të departamenteve që përgatisin aktet ligjore prioritare të qeverisë për integrimin evropian dhe mirëqeverisjen.
Ndërsa në pagat e zyrtarëve të tjerë të kryeministrisë, mes tyre dhe këshilltarëve, janë shtuar nga 150-200 Euro në muaj, sipas sektorëve dhe detyrave që kanë, por përfitues në total janë 578 zyrtarë të kryeministrisë.
E veçanta e këtyre shtesave në pagat e shefave në kryeministri, është fakti që vendimi i qeverisë u miratua, hyri në fuqi dhe u publikua në Fletore Zyrtare me urgjencë brenda datës 1 gusht 2024; ndërsa shtesa e pagave do bëhet nga data 1 korrik 2024.
Ndërsa në vendimin për shtesën e pagave të punonjësve të pushtetit lokal, Babloku nuk ka caktuar afat se kur do fillojnë efektet financiare./Pamfleti
Lini një Përgjigje