
Policia e Tiranës ka reaguar pas dy ditësh lidhur me zjarrin që shkrumboi dhjetëra biznese në tregun e “5 Majit” në Tiranë më 8 janar.
Sipas policisë, shkak për zjarrin në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, dyshohet se ka qenë një shkëndijë elektrike. Ndërkohë, flakët kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale.
“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka pasur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton sot policia.
Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar 40 orë nga nisja e zjarrit te tregu te "5 maji" ende ka vatra aktive. Ende shihen vatrat e zjarrit dhe tymi në rrënojat e tregut.
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun pranë ish-uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji” mbrëmjen e 8 janarit në Tiranë shkrumboi gjithçka.

Zjarri nisi në një magazinë dhe u përhap me shpejtësi, duke prekur mbi 100 biznese, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, pavarësisht se forcat zjarrfikëse luftuan për më shumë se 6 orë për të neutralizuar flakët.
Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.
Lini një Përgjigje