TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet15 Shtator 2023, 08:37

Zjarri në pallatin 10-katësh, 4 apartamente digjen krejtësisht; banorët ende në pritje të ekspertëve për vlerësimin e dëmeve

Shkruar nga Pamfleti

Zjarri në pallatin 10-katësh, 4 apartamente digjen krejtësisht;

Katër apartamente janë shkrumbuar krejtësisht në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët një ditë më parë në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve.

Banorët e pallatit janë në pritje të ekspertëve të cilët do të kryejnë verifikimin e dëmeve nga zjarri si dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve.

Pallati 10-katësh ndërtuar në vitin 2021 nga biznesmeni vlonjat Tanush Mëhillaj, rrezikoi seriozisht të shembej nga flakët që nuk njohën kufi dhe u shpërndanë thuajse në të gjithë strukturën e godinës së banuar, por fatmirësisht nuk shënuan të plagosur dhe asnjë humbje jete.

Pas zjarrit në pallatin 10 katësh në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë, është shoqëruar në polici administratori i pallatit. 

Veshja e pallatit që është shkëputur duke rënë copa-copa pasi u përfshi në flakë, ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Dyshohet se ka qenë materiali ndërtimit i cilësisë së dobët që ka shërbyer si “benzinë” duke përhapur flakët nëpër ballkone e deri në brendësi të apartamenteve, duke sfiduar për tre orë punonjësit e zjarrfikëses.

Materiali dyshohet se ka qenë i llojit “lesh guri” i cili sipas ekspertëve ka në përbërje plastikë.

Një banor i këtij pallati duke folur për mediat tha se ai ka qenë i pari që ka parë zjarrin dhe ka dalë menjëherë jashtë.

"S’e dimë ende sa dëme kemi nuk na lënë të futemi. Unë isha brenda kur mori flakë apartamenti. Filloi nga kati sipër isha i pari që kam dalë dhe pashë zjarrin. Zjarrfikësja ka ardhur menjëherë por zjarri u përhap shumë shpejt. Policia ndërhyri menjëherë për të nxjerrë banorët sepse as ata nuk e prisnin të bëhej kështu. Zjarri u përhap menjëherë. Unë banoj në katin e 5. Sonte do të fle te stoli.", tha ai pasditen e djeshme në një reagim për mediat.

Lini një Përgjigje