Një zjarr ka rënë mëngjesin e të dielës, rreth orës 05:30, në urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” QSUT.
Zjarri ka rënë në një prej bodrumeve dhe ka shkaktuar shumë tym çka rrezikonte të shkaktonte asfiksi te pacientët.
Nga të dhënat e para raportohet se bateritë e serverave kanë pasur probleme gjatë natës në katin -1.
Sipas medieve është bërë evakuimi i pjesës më të madhe të pacientëve. Mësohet se pacientët janë transportuar me ambulancë në Spitalin e Sanatatoriumit në Sauk, ndërsa disa u sistemuan në pavione te tjera të QSUT-së.
Ndërkaq, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë zjarrfikëset e Tiranës, dhe pas ndërhyrjes zjarri është vënë nën kontroll.
Ndërkohë nuk dihen ende rrethanat e rënies së zjarrit, policia dhe grupi hetimor po punon për të zbardhur shkakun.
“Më datë 11.02.2024, rreth orës 05:30, në Rrugën e Dibrës, dyshohet se si pasojë e një shkëndije, ka rënë zjarr në katin -1, te urgjenca e re. Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse, menjëherë kanë bërë evakuimin e stafit mjekësor dhe pacientëve. Zjarri është fikur dhe si pasojë e tij nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
Ndërkaq, një reagim ka pasur edhe nga QSUT, ku ka deklaruar se situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën.
“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme në katin -1 të godinës së QSUT është raportuar tym.
Menjëherë janë marrë masat për sigurimin e pacientëve të shtruar dhe situata u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet e tymit po hetohen.
Situata është në monitorim të vazhdueshëm dhe pacientët janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën, falë anagazhimit të personelit mjekesor dhe atij zjarrefikës.
Çdo gjë është nën kontroll dhe gjendja paraqitet e qetë”, deklaroi QSUT.
Lini një Përgjigje