TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Shkurt 2025, 19:58

Vendimi i plotë, si dështoi plani i grupeve kriminale për të rrëzuar Sky Ecc; në panik edhe politika

Shkruar nga Pamfleti

Vendimi i plotë, si dështoi plani i grupeve kriminale për të

SPAK ka dorë të lirë të na tregojë se kush janë pushtetarët e lidhur me bandat...

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet të cilit u legjitimuan përgjimet e Sky Ecc.

Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të Metamorfozës, ju drejtua Kushtetueses me argumentin se përgjimet ishin të paligjshme. Përmes avokatëve ai kundërshtonte mënyrën se si ishin marrë dosjet. Por Kushtetuesja e rrëzoi, teksa ka zbardhur dhe vendimin e plotë në faqen e saj zyrtare.

Në vendimin e saj, Gjykata shprehet se nuk ka asnjë shkelje ligjore në marrjen e transkripteve. Po ashtu e bën të qartë se SPAK i ka shoqëruar në të gjitha rastet përgjimet me prova.

Provat e tjera shkresore, shkencore dhe ato me dëshmitarë përputhen më së miri me të dhënat e përftuara nga komunikimet në Sky ECC ndërmjet kërkuesit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në krim. Dyshimi i arsyeshëm për caktimin e një mase sigurimi është forcuar gjatë fazës së mëtejshme të hetimit, ku rezulton se kërkuesi është marrë i pandehur dhe çështja është dërguar për gjykim në GJKKO-në e Shkallës së Parë përpara gjyqtarit të fazës së hetimit paraprak. Nga akti i njoftimit të akuzës dhe kërkesa për dërgimin e çështjes për gjykim rezulton se krahas transkripteve të komunikimeve në platformën Sky ECC janë administruar edhe shumë prova të tjera që provojnë kryerjen e veprave penale”, shprehet gjykata.

Krimi u invetua shumë te Kushtetuesja që të rrëzonte përgjimet dhe të jepte një vendim në favor të Pëllumb Gjokës, por nuk ja arriti. Madje thuhet se futi duart edhe politika, pasi ka shumë emra që dalin te përgjimet e Sky Ecc. Por edhe ata nuk ja dolën. Tani SPAK ka dorë të lirë të na tregojë se kush janë pushtetarët e lidhur me bandat.

Pjesë nga vendimi i Kushtetueses

-Provat e përftuara nga përgjimi dhe kapja e të dhënave të kriptuara nga aplikacioni Sky ECC janë krijuar jashtë territorit të Shqipërisë dhe janë siguruar në bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar, duke ndjekur të gjitha procedurat e kërkuara për t’u pranuar si prova në gjykatat shqiptare sipas ligjit nr. 10193/2009 dhe dispozitave të KPP-së. Hetimi i kryer në Francë ka pasur për objekt vetë platformën Sky ECC, duke e trajtuar atë si një grup/organizatë kriminale, ndaj edhe përgjimi është drejtuar drejt serverëve të kësaj shoqërie me vendndodhje në Francë. Në praktikën e transmetuar nga shteti francez rezulton qartë se si ka filluar procedimi penal, cili ka qenë objekti i hetimit, si dhe fakti se kanë qenë oficerët e Policisë Gjyqësore ata që kanë dokumentuar nga pikëpamja procedurale realizimin e përgjimit etj. Kopja e këtij dokumentacioni i është vënë në dispozicion mbrojtësve ligjorë të kërkuesit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor përpara gjyqtarit të seancës paraprake.

-Provat e tjera shkresore, shkencore dhe ato me dëshmitarë përputhen më së miri me të dhënat e përftuara nga komunikimet në Sky ECC ndërmjet kërkuesit dhe bashkëpunëtorëve të tjerë në krim. Dyshimi i arsyeshëm për caktimin e një mase sigurimi është forcuar gjatë fazës së mëtejshme të hetimit, ku rezulton se kërkuesi është marrë i pandehur dhe çështja është dërguar për gjykim në GJKKO-në e Shkallës së Parë përpara gjyqtarit të fazës së hetimit paraprak. Nga akti i njoftimit të akuzës dhe kërkesa për dërgimin e çështjes për gjykim rezulton se krahas transkripteve të komunikimeve në platformën Sky ECC janë administruar edhe shumë prova të tjera që provojnë kryerjen e veprave penale. I pabazuar është edhe pretendimi i kërkuesit se ai nuk ka lidhje me përdoruesin e kodit pin përkatës, pasi identifikimi i tij është bërë në përputhje me parashikimet e nenit 303 të KPPsë. Edhe veprimet e tjera të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak konfirmojnë se përdoruesi i atij kodi pin është kërkuesi. Ky pretendim është shqyrtuar edhe nga gjykatat dhe është rrëzuar si i pabazuar.

-Gjykata konstaton se autoritetet gjyqësore franceze prej datës 24.06.2019, në kuadër të një hetimi penal francez, urdhëruan një masë përgjimi në serverët e Sky ECC në OVH në Roubaix, Francë, ku u interceptuan të dhëna të enkriptuara dhe metadata që fillimisht nuk ishin të lexueshme, por mundësuan një analizë teknike që lejoi të krijohej një panoramë e rëndësisë së kodeve pin të caktuara (përdoruesit e aplikacionit Sky ECC) dhe rëndësisë së marrëdhënieve që mbaheshin me kode pin të tjera të caktuara. Gjithashtu, enkriptimi dhe konfigurimi i sistemit iu nënshtruan një hetimi teknik që me kalimin e kohës mundësoi dekriptimin. Dekriptimi substancial u vendos dhe u krye vetëm prej datës 15.02.2021, kur përfundimisht u mor konfirmimi i treguesve të rëndë të fajësisë, që komunikimi dhe shërbimi i aplikacionit Sky ECC, për aq sa mund të zbulohej përmbajtësisht, ishte i natyrës kriminale à charge dhe à décharge në favor të organizatave kriminale ose bashkimeve kriminale. Në këtë kontekst, rezulton se përgjimet në kohë reale në aplikacionin Sky ECC kanë filluar në muajin shkurt 2021, ndërsa prej datës 24.06.2019 ka pasur prova të ftohta, të vjetra, të nxjerra nga serverat para se të fillonin këto përgjime.

-Komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC u janë përcjellë autoriteteve shqiptare nga autoritetet gjyqësore franceze përmes letërporosisë në bazë të parashikimeve të KPP-së dhe të Konventës së Këshillit të Evropës “Për bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën penale”. Autoritetet gjyqësore franceze kanë vepruar në ekzekutim të letërporosisë së dërguar nga autoritetet e drejtësisë shqiptare, për transmetimin e të dhënave nga përgjime të marra prej Gjykatës së Parisit, në përputhje me nenin 3 të Konventës së Këshillit të Evropës, në bazë të së cilit parashikohet parimi i përgjithshëm i prezumimit të ligjshmërisë së marrjes se tyre nga autoritetet gjyqësore të një shteti anëtar të Konventës për ndihmë juridike në fushën penale.

-Gjykata vëren se në bazë të nenit 26, pika 1, të Konventës “Për krimin në fushën e kibernetikës”, të ratifikuar me ligjin nr. 8888, datë 25.04.2002, parashikohet edhe dhënia e informacionit spontan dhe, sipas saj, brenda kufijve të ligjit të brendshëm dhe pa kërkesë paraprake, një palë mund t’i ofrojë një pale tjetër informacionin e marrë në kuadrin e hetimeve të veta kur konsideron se dhënia e një informacioni të tillë mund të ndihmojë palën marrëse në fillimin ose kryerjen e hetimeve ose  gjykimeve në lidhje me veprat penale të përcaktuara në këtë Konventë ose mund të çojë në bërjen e një kërkese për bashkëpunim nga kjo palë. Për rrjedhojë, Gjykata vëren se komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC janë përcjellë nga autoritetet franceze në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë mes autoriteteve të të dyja vendeve, pra në përputhje me parimin e besimit reciprok në marrëdhëniet mes autoriteteve gjyqësore të huaja.

-Po kështu, Gjykata vëren se në drejtim të krijimit të dyshimit të arsyeshëm, si standardi që kërkohet të përmbushet në këtë moment dhe fazë të procedimit penal, ai nuk rezulton të jetë bazuar vetëm në komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC të marra përmes letërporosisë, por edhe mbi të dhëna të tjera të përftuara gjatë veprimtarisë hetimore apo të marra nga procedime të tjera penale, të cilat, në tërësinë e tyre, nuk duket se kanë qenë të pamjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm, si kushti sine qua non për kufizimin e lirisë personale të kërkuesit. Siç kanë arsyetuar edhe gjykatat e zakonshme në këtë drejtim, dyshimi i arsyeshëm nuk është bazuar vetëm në komunikimet e kryera në aplikacionin Sky ECC, por edhe në provat e tjera materiale, provat dokument apo ato të zbuluara përmes veprimeve të papërsëritshme nga organi procedues, të cilat janë analizuar nga ato gjykata. /Pamfleti

Lini një Përgjigje