Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë orë të dites, ku ndër të tjera veçojmë:
Gara për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) ka përfunduar në gjykatë, pasi Gentian Ndoi kundërshton emërimin e Joni Ketës, duke pretenduar se është renditur i pari nga SPAK, ndërsa vendimi final i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Komisionerja e BE-së Marta Kos hodhi poshtë propozimin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiçit për integrim të përshpejtuar në tregun e përbashkët dhe zonën Schengen, duke theksuar se procesi kërkon reforma të thella dhe miratim nga vendet anëtare.
Vetë Rama, në një forum ekonomik, mbrojti progresin e Shqipërisë, duke deklaruar se vendi po lë pas korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Brenda Partisë Demokratike, tensionet janë të forta.
Jorida Tabaku kërkon bashkim dhe përfshirje, ndërsa Sali Berisha këmbëngul se Ervin Salianji është vetëpërjashtuar.
Ky i fundit e mohon dhe kërkon garë të hapur dhe votë të lirë në parti.
Paralelisht, Berisha denoncoi kërcënime ndaj Adriana Kalasë, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin.
Në sektorin e shëndetësisë, situata në QSUT ka ngritur shqetësime, pasi analizat laboratorike për pacientët ndalojnë pas datës 20 të çdo muaji për shkak të mungesës së fondeve, çka ndikon në trajtimin e tyre.
Ndërkohë, qeveria ndërhyri në tregun e karburanteve përmes Bordit të Transparencës, duke vendosur çmime tavan për naftën dhe benzinën, në përpjekje për të mbrojtur konsumatorët.
Një sulm kibernetik ndaj Postës Shqiptare u konfirmua nga autoritetet, por pa pasoja të mëdha në të dhëna apo shërbime.
SPAK kërkon 133 vite burg për një grup kriminal të përfshirë në kultivimin e kanabisit në Berat.
Ndërkohë, në Kosovë vijon gjyqi për vrasjen e Liridona Ademajt, ku dëshmitë e të akuzuarve kanë shtuar debatet mbi motivet dhe përgjegjësit.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë, ndërsa raportohet refuzimi i planit me 15 pika te Trump nga ana e Teheranit.
Shqipëria përgatitet për një përballje të rëndësishme sonte me Poloninë, me synimin për të shkruar historine në rrugën drejt Botërorit.
Lini një Përgjigje