
Ndoi argumenton se është renditur i pari në pikë nga Komisioni i Përzgjedhjes i ngritur pranë SPAK-ut, çka sipas tij duhej të ishte reflektuar edhe në vendimmarrjen përfundimtare.
Gara për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit ka përfunduar në dyert e gjykatës, pasi një nga kandidatët ka vendosur të sfidojë procesin e përzgjedhjes dhe vendimin final të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Gentian Ndoi, pjesë e garës për kreun e BKH-së, i është drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit duke kundërshtuar emërimin e Joni Ketës në këtë post. Ai pretendon se procesi nuk ka respektuar standardet ligjore dhe se përzgjedhja finale nuk pasqyron rezultatet e vlerësimit.
Sipas padisë, Ndoi argumenton se është renditur i pari në pikë nga Komisioni i Përzgjedhjes i ngritur pranë SPAK-ut, çka sipas tij duhej të ishte reflektuar edhe në vendimmarrjen përfundimtare. Për këtë arsye, ai kërkon shfuqizimin e vendimit të 19 dhjetorit, me të cilin KLP emëroi drejtuesin e ri të BKH-së.
Ai ka vënë në diskutim edhe raportin e Komisionit të Përzgjedhjes, duke kërkuar anulimin e tij dhe të gjithë procedurës që çoi në emërimin e Ketës, me argumentin se aktet janë të paarsyetuara dhe në kundërshtim me ligjin.
Përtej kundërshtimit, Ndoi ka paraqitur edhe një kërkesë konkrete: që gjykata ta njohë atë si drejtues të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të detyrojë institucionet përkatëse t’i paguajnë pagën që nga momenti i emërimit të drejtuesit aktual.
Megjithatë, kuadri ligjor nuk e detyron automatikisht emërimin e kandidatit me më shumë pikë, pasi përzgjedhja përfundimtare mbetet në diskrecionin e KLP-së, ndërsa propozimi bëhet nga SPAK.
Më herët, Ndoi kishte tentuar të ndjekë të njëjtën rrugë administrative pranë vetë KLP-së, por kërkesa e tij nuk u mor në shqyrtim, me argumentin se procedura e përzgjedhjes nuk parashikon një mekanizëm të tillë ankimi.
Seanca e radhës në Apel është caktuar më 7 prill, ku pritet të dëgjohen konkluzionet përfundimtare dhe më pas të merret vendimi për një çështje që tashmë ka kaluar nga një garë institucionale në një përballje gjyqësore.
O Gento jo se nuk e meriton,se nuk eshte se kan ndonje bagazh me shum se ty koleget tuaj,por shum ke arritur e nder meritat e tua ka qene roli I korrierit ne njoftimin e vendimit te gjykates per Berishen, biles edhe kete detyre te lehte nuk e kreve me sukses.
Ke shumë të drejtë! Ky Ndoi tregoi figurën që duhet të ketë Policia e Shtetit, qytetari dhe zotësi. Ai nuk shpërtheu zyrat e PD për të realizuar një njoftim që e mori vesh gjithë Shqipëria veç të Zoti. Ai nuk kërkoi të përfitonte nga detyra. Në fakt ti do që të ishte një oficer që të vepronte ashtu siç ia bënë Ilirit. Respekte!