Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Pas Kuvendit, hakerët godasin Postën Shqiptare- “Homeland Justice” merr përsipër sulmin
Pak ditë pas sulmit ndaj faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i hakerave “Homeland Justice” pretendon se ka goditur edhe Postën Shqiptare, duke thelluar shqetësimet për sigurinë kibernetike në vend.
Sipas një mesazhi të publikuar në Telegram, grupi deklaron se ka marrë në kontroll faqen dhe të dhënat e institucionit. Aktualisht, faqja zyrtare e Postës Shqiptare rezulton jashtë funksionit, ndërsa rrezikohen një sërë shërbimesh për qytetarët. Përmes Postës Shqiptare kryhen pagesa të rëndësishme, si gjobat e makinave dhe faturat e shërbimeve. Po ashtu hakerët pretendojnë se kanë marrë të gjitha të dhënat.
Në mesazhin e tyre, hakerët shprehen: “Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Homeland Justice për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me muxhahedinët dhe lehtësimit të veprimtarive të tyre.”
Ky është një tjetër incident i rëndë që vë në pikëpyetje serioze efektivitetin e investimeve në sigurinë kibernetike. Pavarësisht miliona eurove të deklaruara nga qeveria për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale, institucionet shtetërore vijojnë të jenë të ekspozuara ndaj sulmeve të përsëritura.
Hakerët iranianë sulmuan Postën Shqiptare- Ministri Demo: Shërbimi po vijon normalisht
Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, është pyetur nga gazetarët në lidhje me sulmin kibernetik të ndodhur dje ndaj Postës Shqiptare nga hakerët iranianë.
“Në momentin që flasim po bëhet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe ekspertët e vetë Postës Shqiptare. Shërbimet e postës po vijojnë normalisht. Nuk ka të dhëna që po pengohet pjesa operacionale e Postës, por duhet të presim përfundimin e analizave.”, tha Demo.
Sipas ministrit, Shqipëria është një nga vendet me avancimin më të madh në sigurinë kibernetike.
“Dua të nënvizoj se Autoriteti Kombëtar i Luftës Kibernetike i ka kapacitetet që rrisin garancinë për integritetin e të dhënave publike në institucionet shqiptare. Kuptohet që jo të gjitha institucionet janë të përfshira në ombrellën e këtij institucioni, por Shqipëria është një nga vendet me avancimin më të madh në sigurinë kibernetike”, shtoi ministri.
Fshehu dënimin në Greqi-SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar zyrtarisht pranë Gjykatës së Posaçme pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, për akuzën e falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve.
Procedimi penal ishte regjistruar në vitin 2025, pas një kallëzimi të bërë nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike. Kallëzimi përfshinte pretendime për falsifikim të Formularit të Dekriminalizimit, pasi nuk kishte treguar për dënimin e marrë nga drejtësia greke.
SPAK ka administruar një sërë provash dhe dokumentesh nga institucionet shqiptare edhe autoritetet e drejtësisë në Greqi. Nga këto verifikime rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 nga një gjykatë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për përdorim dokumentesh të parregullta dhe shkelje të rregullave të hyrjes në territorin grek.
Megjithatë, sipas SPAK, ky proces gjyqësor është zhvilluar në mungesë të saj dhe nuk ka prova që ajo të jetë njoftuar në mënyrë efektive për gjykimin apo vendimin.
Nën hijen Albana Koçiut- Arbër Misja, bashkëshorti i zv/kryeministres del në dosjet e anti-krimit
Në “Pamfleti” kanë ardhur disa informacione për përfshirjen në veprimtari të paligjshme të bashkëshortit të ish-Drejtoreshës së Përgjithshme të Administratës Publike, ish-Ministres së Shëndetësisë, ish-Ministres së Brendshme dhe, prej 3 javësh, zv/kryeministres.
Gjatë 20 viteve në postet drejtor drejtorie në 3 sektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, emri i bashkëshortit të saj, Arbër Misja, ka qenë totalisht në hije, madje edhe pas muajit shkurt 2022, kur u emërua anëtar bordi në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë.
Por sipas informacioneve të ardhura dhe sipas verifikimeve paraprake që kemi bërë e po i hetojmë, rezulton se ai është skeduar në dosje të agjencive shqiptare të anti-krimit dhe të agjencive partnere, të cilat gjurmojnë veprimtari kriminale për llogari të veta dhe shkëmbejnë informacione.
Përveç mbajtjes në hije të emrit të bashkëshortit të zv/kryeministres Albana Koçiu, është mbajtur e fshehtë edhe përfshirja e tij në punë të pista, paçka se ka dalë në dosje hetimore të figurave dhe grupeve kriminale të goditura në Shqipëri e nën hetim nga agjencitë partnere ndërkombëtare.
Për më shumë klikoni në linkun e orës 12.00:
Lini një Përgjigje