TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet12 Janar 2026, 18:15

UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 18:00

Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë të pasdites, ku ndër të tjera veçojmë:

Politikë dhe hetime

Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar që Edi Rama të dëshmojë në SPAK lidhur me ndryshimin e destinacionit të pronës së tij. Ndërkohë, Belind Këlliçi u pyet në SPAK për financimin e aktivitetit të Kuvendit të 11 Dhjetorit 2021. Gjithashtu, gjyqi paraprak për Metën dhe të akuzuarit e tjerë në aferën CEZ-DIA është shtyrë, për shkak të mungesës së avokatit të Xhixhos. Kryeparlamentari Peleshi është kallëzuar në SPAK, ndërsa kërkesa e SPAK për Ballukun do të shqyrtohet më 28 janar. PD ka depozituar padi edhe për Endrit Shabanin.

Energjia dhe korrupsioni

Rama siguroi publikun se në Parkun Eolik të Tropojës do të garantohet pavarësia e prodhimit të energjisë dhe nuk do të ketë korrupsion. Ndërkohë, ish-kryeministri Berisha akuzoi Elira Kokonën për vjedhje miliona euro me kompaninë “Durana”, duke paralajmëruar se regjimi është drejt përmbysjes. Nga Brukseli, Gonzato ngriti shqetësimin se mungesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve po ngadalëson drejtësinë dhe po bën që dosjet të grumbullohen.

Ngjarje lokale dhe sociale

Familjarët e punëtorit Astrit Hysenaj, i cili humbi jetën në detyrë, ngritën kallëzim, duke akuzuar kryebashkiaken e Durrësit për përpjekje për të shmangur përgjegjësinë. Në Maliq, fermerët revoltohen dhe hyjnë me forcë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, duke kërkuar dëmshpërblim dhe paralajmëruar përshkallëzim të protestave. Shërbimi Social në Durrës vendosi masa për tre fëmijë, duke vlerësuar aftësinë e nënës për të mbajtur kujdestarinë.

Gjyqësi dhe krim

Erigen Toska u paraqit si dëshmitar në gjyqin e Dervishajt dhe Meçes, duke dëshmuar edhe për Ramazan Rrajën. Ndërkohë, nëna e ish-prokurorit Ndoja u përfshi në hetime, dhe janë regjistruar përplasje brenda LDK-së, ku kërkohet dorëheqja e Abdixhikut, ndërsa Veliu thekson se përgjegjësia është parakusht për besim.

Bota dhe siguria ndërkombëtare

Në Iran, mijëra viktima kanë shkaktuar shqetësim ndërkombëtar. Teherani po përgatitet për bisedime me SHBA-në, ndërsa Zvicra ka një rol negociues. Trump ka deklaruar mundësinë e përdorimit të ushtrisë në këtë kontekst.

Lini një Përgjigje