
Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë të pasdites, ku ndër të tjera veçojmë: Nga Veriu në Jug, moti i keq ka goditur rëndë Shqipërinë.
Akse rrugore të bllokuara, ura të shembura, rrëshqitje dherash, ndërprerje energjie dhe përmbytje masive kanë vënë në alarm autoritetet.
Mblidhet Komiteti i Emergjencave Civile, ndërsa kryeministri Rama deklaron se situata lidhet me ndotjen, hedhjen e mbetjeve dhe ndryshimet klimatike, pa marrë përgjegjësi direkte.
Në politikë, zhvillohet tryeza e “opozitës së bashkuar”, por me mungesa të rëndësishme: Lapaj, Shehaj dhe Qori nuk marrin pjesë. Sali Berisha u bën thirrje qytetarëve për ndihmë në rrëzimin e qeverisë.
Rikthehet në skenë Ervin Salianji, ndërsa tensionet brenda opozitës vijojnë, me thirrje për protesta lokale.
Në drejtësi, SPAK çon për gjykim Benet Becin dhe 6 zyrtarë të KESH-it për shkelje të barazisë në tenderë, hetime të nisura nga BKH.
Po ashtu, dërgon për gjykim Maksim Ndocin dhe Juljan Kollçakun për trafikimin e qindra kilogramëve kokainë nga Ekuadori drejt Italisë.
Zjarri masiv te “5 Maji” në Tiranë, i shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, u ka shkaktuar tregtarëve humbje miliona euro dhe përplasje me policinë.
Ndërkohë, ILD konstaton shkelje etike në çështjen e avokatit Uljan Bajrami, por pa hetime penale ndaj prokurorit dhe gjyqtares.
Në Kosovë, përfundon numërimi i zgjedhjeve të 28 dhjetorit: Vetëvendosje fiton me 51.11% të votave, ndërsa Albin Kurti del politikani më i votuar.
Në arenën ndërkombëtare, Rusia lëshon raketën “Oreshnik” drejt Ukrainës, duke nxitur reagime të ashpra nga Macron, Merz dhe Starmer.
SHBA ashpërson qëndrimin ndaj Venezuelës dhe paralajmëron goditje ndaj karteleve në Meksikë. Irani përfshihet nga protesta masive, me sulme verbale të Khameneit ndaj Trump.
Australia përballet me zjarre shkatërrimtare, me dhjetëra mijëra hektarë të djegur dhe shtëpi të shkatërruara.
Lini një Përgjigje