
Reshje me intensitet të lartë priten gjatë pasdites së të premtes dhe ditën e shtunë, parashikon Instituti i Gjeoshkencave.
Sipas IGJEUM, në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Sipas llogaritjeve hidrologjike, si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë, pritet një rritje e prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin dhe Seman.
Rrezik të shtuar për përmbytje, në vazhdim të ditës së sotme dhe nesër, do të kenë lumi Vjosë, lumi Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës.
Dëbora dhe ngrica:
Reshjet e dëborës pritet të përfshijnë zonat në Veri, Lindje dhe Juglindje në territorit. Reshjet e dëborës të pasuara nga ulja e ndjeshme e temperaturave dhe ngricat mund të krijojnë probleme të ndryshme dhe vështirësi në transportin rrugor.
Reshjet:
Sot pasdite dhe nesër në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Reshjet priten të shoqërohen me shtrëngata.
Në Veri, Lindje dhe Juglindje në lartësitë mbi 600 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperatura:
Nesër temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 7 / 14 °C
në vendet e ulëta: 6 / 13 °C
në vendet malore: -1 / 7 °C
Era:
Sot pasdite dhe nesër era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në zonat malore.
Lini një Përgjigje