TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Janar 2026, 12:00

UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni Informativ Ora 12:00

Lexues të Pamfleti ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerave veçojmë:

1. “Cënon parimin e ndarjes së pushteteve”

GJKKO: Nuk marrim pjesë në seancën për Ballukun

GJKKO ka njoftuar zyrtarisht se nuk do të marrë pjesë në seancën plenare publike që zhvillohet sot në Gjykatën Kushtetuese, lidhur çështjen Balluku.

Objekti i shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese lidhet me “zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër”, në lidhje me pezullimin e ushtrimit të detyrës së një anëtari të Këshillit të Ministrave.

GJKKO thekson se ka vendosur të mos marrë pjesë në këtë proces, pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë. Sipas qëndrimit zyrtar të gjykatës, në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të përfshihet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Një pjesëmarrje e tillë, theksohet në njoftim, do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

2. “Balluku” në Kushtetuese

Kryeministria dhe Kuvendi paraqesin argumentet

Prej orës 10:00 në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca e hapur lidhur me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Kryeministria dhe Kuvendi, përmes përfaqësuesve të tyre në seancën në Kushtetuese, kanë paraqitur argumentet e tyre sepse SPAK ka gabuar, duke tejkaluar kompetencat, lidhur me vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut nga postet qeveritare.

Duke mbrojtur argumentet e ankimimit kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, përfaqësuesja e Kryeministrit në seancën e Kushtetueses, tha se u cënua një nga pushtetet.
Në anën tjetër përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi, i ka qëndruar të njëjtës linjë si ajo e Kryeministrisë, duke theksuar se pavarësisht se “ministrja nuk është një person i zgjedhur direkt me votë popullore, ajo ka marrë votëbesimin e Kuvendit, i cili në rastin e çështjes në fjalë u anashkalua nga SPAK dhe GJKKO”.

Kuvendin e cilësoi vendimin e GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK, si një cënim të drejtëpërdrejtë të pushteteve. “Është një ndërhyrje e gjyqësorit në ekzekutiv”, tha përfaqësuesja e Kuvendit, sipas të cilës një rast i tillë cënon balancat mes pushteteve.

3. “Në Sazan po investojnë Al-Nusra Front”

Kokalari: Po pastrohen para

Evi Kokalari, aktiviste shqiptaro-amerikane, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me projektin e Jared Kushner, dhëndrit të Presidentit Trump, dhe vajzës së këtij të fundit, Ivanka, për ishullin e Sazanit. Një ditë pas vizitës së Ivanka Trump, Kokalari shkruan në rrjet se në Sazan po investojnë financuesit kryesorë të Al-Nusra Front, një degë e ISIS.

“Në Sazan po futen Al Khayyat Brothers, sirianë me origjinë, të vendosur në Katar. Këta janë financues kryesorë të Al-Nusra Front, e cila konsiderohet degë e ISIS-it, dhe rrjedhimisht të presidentit aktual të Sirisë. Janë hedhur në gjyq nga sirianë më parë, në Mbretërinë e Bashkuar për këto financime”, shkruan Kokalari.

Në vijim, aktivistja shkruan se ndërtimet në Sazan do të përdoren për pastrim parash të korrupsionit në Siri.

“Çdo lloj ndihme për Shqipërinë sot është e bllokuar nga të gjitha anët: nga njëra anë, Berisha, që shpenzon 10 milionë dollarë duke iu lëpirë njerëzve të Marco Rubios, nga ana tjetër, Edi Rama, që i hapi “sheshin” Ivanka Trump-it dhe i dha çfarë t’i donte qejfi dhe mbi të gjitha, prej disa vitesh, na janë shtuar Grenell & Kushner, po aq të korruptuar sa shumë liderë të Ballkanit

Prandaj, nëse Trump nuk ndërhyn për të ndaluar financues terroristësh të investojnë në Shqipër dhe për të ndalur fëmijët e vet nga grabitja masive e territoreve shqiptare, atëherë nuk mbetet rrugë tjetër veçse t’u drejtohemi demokratëve në Kongres për t’i ndalur.

Është naive të mendosh se Ivanka Trump-it apo Jared Kushner-it “u dhemb” Shqipëria.
Shqipërinë e ndërtojmë vetë”, shkruan Kokalari.

4. "Bordi i Paqes" kalon në Kuvend

Taulant Balla: Moment historik!

Ka nisur seanca plenare në Kuvend ku në rendin e ditës është votimi i projektligjit lidhur me ftesën e presidentit të SHBA Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, teksa prezantoi “Bordin e Paqes” në Kuvend, e cilësoi këtë si një moment të pa precedentë në konotacionin pozitiv. Ai theksoi se ky moment historik vlerëson rolin e Shqipërisë në vendosjen e paqes kudo ku ka konflikte.

Gjithashtu, Balla i bëri thirrje deputetëve të kalojnë marrëveshjen në votim me procedurë të përshpejtuar.

Për më shumë klikoni në edicionin e lajmeve të orës 12:00

 

Lini një Përgjigje