Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë mbërritur në Gjykatën Kushtetuese për rastin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ndërkaq, kanë mbërritur edhe përfaqësuesit e qeverisë. Seanca do të nisë në orën 10:00.
Përfaqësuesi i qeverisë do të jetë Herald Jonuzaj.
Institucioni i presidentit do të përfaqësohet nga këshilltari Ilir Rusmali, shefi i kabinetit Hermioni Braho dhe Drejtorja e Përgjithshme, Eriola Shia.
Kuvendi do të ketë si përfaqësuese drejtoreshën juridike, Mimoza Arbi.
Ndërkohë Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka bërë me dije se nuk do të marrë pjesë në seancën publike që zhvillohet këtë të enjte, në Gjykatën Kushtetuese, pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres Belinda Balluku si anëtare e Këshillit të Ministrave.
Në një njoftim për mediat, GJKKO e argumenton këtë vendim duke thënë se një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në proces në një gjykim kushtetues, pasi kjo do të cënonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.
Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.
Bashkëlidhur gjeni të plotë shkresën nr. 5560/1 Prot., datë 29.12.2025, nëpërmjet së cilës GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Lini një Përgjigje