TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Janar 2026, 10:45

“Balluku” në Kushtetuese, Kryeministria dhe Kuvendi paraqesin argumentet: SPAK gaboi, u anashkalua Parlamenti

Shkruar nga Pamfleti
“Balluku” në Kushtetuese, Kryeministria dhe Kuvendi paraqesin
Nga seanca në Kushtetuese

Përfaqësues të Kryeministrisë dhe Kuvendit kanë paraqitur argumentet e tyre, duke e cilësuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut nga funksionet qeveritare si cënim të pushtetit ekzekutiv nga gjyqësori. Sipas tyre, ministrat gëzojnë imunitet ashtu si edhe deputetët, ndaj çdo masë duhet të kalojë përmes Kuvendit…

Prej orës 10:00 në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet seanca e hapur lidhur me kërkesën e Kryeministrit Edi Rama, i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave”.

Kryeministria dhe Kuvendi, përmes përfaqësuesve të tyre në seancën në Kushtetuese, kanë paraqitur argumentet e tyre sepse SPAK ka gabuar, duke tejkaluar kompetencat, lidhur me vendimin për pezullimin e Belinda Ballukut nga postet qeveritare.

Duke mbrojtur, argumentet e ankimimit kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, përfaqësuesja e Kryeministrit në seancën e Kushtetueses, tha se u cënua një nga pushtetet.

Eriola Shia, përfaqësuese e Kryeministrit në seancën në Kushtetuese, tha se Këshillit të Ministrave i është pezulluar detyra në një nga veprimtaritë e tij dhe në vendimmarrje. Sipas saj, GJKKO nuk mund të pezullojë një ministër në mënyrë të njëanshme.

GJKKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet pasi nuk janë shteruar të gjitha shkallët e gjykimit për masën e sigurimit.

Ky nuk është një ankim kushtetues individual. Kërkimet dhe shkaqet që ngrihen në kërkesë nuk kanë të bëjnë as me nevojën e sigurimit të të pandehurit, as me objektin e procedimit penal, as me të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënien ndërmjet 3 pushteteve.

A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër, njësoj siç mund të pezullojë çdo zyrtar tjetër të pushtetit ekzekutiv?

Ne vlerësojmë se jo, megjithatë argumentat i përkasin themelit të çështjes. Për legjitiminin sqarojmë se Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ të cilit i është pezulluar veprimtaria në një prej fushave të përgjegjësisë shtetërore, fusha e infrastrukturës dhe energjisë.

GJKKO duke pezulluar ministrin nga detyra, ka pezulluar jo vetëm vendimmarrje e ministrit brenda ministrisë përkatëse, por edhe vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave në atë fushë sepse ministri nuk mund të propozojë asnjë projekt në kompetencë të tij.

Prokuroria e Posaçme pretendon se aktet nuk propozon dot më ministri, tashmë mund ti propozojë Kryeministri. Ky argument nuk qëndron sepse Kryeministri propozon vetëm akte që nuk i përkasin fushës së asnjë Ministrie tjetër dhe që i janë dhënë atij shprehimisht si detyra me ligj të posaçëm.

Kryeministri legjitimohet si organi që po vendoset në kushte që e detyojnë të zëvendësojë një anëtar të qeverisë. Pezullimi e detyron kryeministrin që të propozojë shkarkimin dhe emërimin e një ministri të ri në mënyrë që të vijojë funksionimi normal i minisrisë përkatëse dhe që të merren vendime nga Këshilli i Ministrave.

Nuk mund të mohohet se masa e sigurimit penal sjell pasoja në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit. Nëse këto pasoja janë të lejueshme nga Kushtetuta ose jo, por nuk mund të mohohet interesi konkret kushtetues për vënien lëvjzje të.

Nuk ka asnjë rëndësi fakti që Këshilli i Ministrave dhe ministri nuk janë palë sepse legjitimiteti kushtetues buron nga pasoja që sjell masa e sigurimit te veprimtaria e këshillit të ministrave dhe kryeministrit.  

Sa i përket pretendimit se duhet të shterojnë shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, kjo vlen vetëm për ankimin individual, ndërsa është çështje tjetër ankimi që bën Këshilli i Ministrave dhe kryeministri për kompetencat që u cënohen nga kjo masë. Për këtë nuk ka asnjë detyrim për t’iu drejtuar shkallëve të tjera të kompetencës.

SPAK ka pretenduar se është vetë gjykata penale që vlerëson kufijtë e juridiksionit dhe kompetencës së saj. Këshilli i Ministrave dhe kryeministri nuk ka asnjë autoritet penal për t’ia parashtruar gjykatës penale sepse nuk janë palë në procesin e masës së sigurimit. Mjeti vetëm procedural në dispozicion është ankimi kushtetues për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushteteve. Ashtu si Kuvendi nuk ka detyrë që të presë ankimin individual, edhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnë detyrë. Çdo pretendim është alogjik. Pushteti gjyqësor nuk ka të drejtë që në mënyrë të njëanshme të shkaktojë pezullimin e një dege të ekzekutivit. Nuk mund ta vendosë masën e sigurimit në mënyrë të njëanshme”, tha Shia.

Ajo tha se GJKKO ka juridiksion për të gjykuar veprën penale që ka kryer individi, por nuk ka kompetencë për të dhënë masa mbi mandatin e tij. Për pezullimin duhet të shprehet organi kompetent.

"Në rastin konkret, Kuvendi ka kompetencë për të dhënë autorizimin për masat që pengojnë ushtrimin e detyrës së ministrit.Vendimi i njëanshëm që është marrë për zv.kryeministren nuk përmbush këtë standard dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës janë vendime të nxjerra në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë”, tha përfaqësuesja e Kryeministrisë.

Ajo tha se ndalimi për të vendosur pezullimin e ushtrimit të një detyre, e ka burimin në normat kushtetuese.

“Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të kontrollohet, ndalohet ose ndiqet penalisht pa pëlqimin e kuvendit. Deputeti nuk mund të arrestohet ose ti hiqet lira në çfarëdolloj forme pa autorizim nga Kuvendi. Autorizim i kuvend kërkohet o vetëm për mase sigurimi personale, por edhe për masa të tjera. Imuniteti s’ka qëllim lirinë deputetit, por mbrojtjen e detyrës së deputetit, liria e deputetit është premisë e domosdoshme që ai të ushtrojë këtë detyrë.

Kushtetuesja në vendimin e 2024, ka mbajtur qëndrimin se autoriteti nga kuvendi është i nevojshëm për arrestin në burg dhe arrestin në shtëpi. Qëllimi i imunitetit është e drejta e deputetit për ushtrimin e detyrës.

Pengimi i ushtrimit të detyrës bazohet me një pezullim de facto të deputetit nga detyra. Ndalimi për të vendosur masën e pezullimit buron nga neni 73 pika 2 e kushtetutës, s’kemi të bëjmë me garanci ligjore të Kodit të Procedurës penale por me një garanci kushtetuese.

 Të njëjtën garanci e gëzon edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, për shkak të pikës 3 të nenit 103 të kushtetues, ku parashikon se anëtari e këshillit të ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit. Konstatojmë se SPAK s’ka zbatuar jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka sqaruar se edhe ministri që nuk është deputet, ka të njëjtin imunitet si deputeti, autorizimi nga kuvendi është i nevojshëm edhe për ministrin jodeputet.

Emërimi dhe shkarkimi i këtyre organeve përbën çështje të së drejtës kushtetuese dhe nuk mund të pengohet nga asnjë akt i një pushteti tjetër, ndryshe prishet balanca mes pushteteve”, tha Shia.

Argumentet e Kuvendit

Në anën tjetër përfaqësuesja e Kuvendit, Mimoza Arbi, i ka qëndruar të njëjtës linjë si ajo e Kryeministrisë, duke theksuar se pavarësisht se “ministrja nuk është një person i zgjedhur direkt me votë popullore, ajo ka marrë votëbesimin e Kuvendit, i cili në rastin e çështjes në fjalë u anashkalua nga SPAK dhe GJKKO”.

Kuvendin e cilësoi vendimin e GJKKO-së, pas kërkesës së SPAK, si një cënim të drejtëpërdrejtë të pushteteve. “Është një ndërhyrje e gjyqësorit në ekzekutiv”, tha përfaqësuesja e Kuvendit, sipas të cilës një rast i tillë cënon balancat mes pushteteve.  

Arbi tha në seancën në Kushtetuese për çështjen Balluku, se sipas neneve përkatëse, deputetët gëzojnë imunitet dhe nuk mund të pengohen, arrestohen apo ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit Popullor. Ndjekja penale mund të kryhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit, tha ajo.

Pezullimi nga detyra dhe bllokimi i pasaportës për zv.kryeministren, Kuvendi e gjen në shkelje të Kushtetutës. Në nenin 22 parashikohet se deputeti i Kuvendit gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet, arrestohet apo ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit Popullor. Ndjekja penale bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit Popullor. Në pikën 3 të nenit 103 të Kushtetutës është një dispozitë themelore që garanton pushtetin ekzekutiv. Kur ministrat gëzojnë imunitet si deputetë, ky imunitet është i barabartë dhe krijon garanci kushtetuese. Neni 73 i Kushtetutës parashikon se deputeti nuk mund të arrestohet dhe ndaj tij nuk mund të ushtrohet kontroll paraprak”, tha Arbi. /Pamfleti/

 

kuvendi kryeministria balluku kushtetuese

Lini një Përgjigje