
Ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku veçojmë: Vjosa del nga shtrati, Fieri nën ujë
Banesa të përmbytura, alarm edhe në disa qarqe të vendit
Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin, duke shkaktuar përmbytje dhe vështirësi serioze në disa qarqe. Situata më kritike paraqitet në Fier, ku lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 27 banesa në zonën Ferras–Çerven, si dhe sipërfaqe të mëdha tokash bujqësore. Banorët kanë nxjerrë bagëtitë dhe mjetet bujqësore, ndërsa forcat e emergjencave civile dhe ushtria ndodhen në terren. Rrezik mbetet edhe kolektori i Martinës, ku mund të preken mbi 160 familje.
Përmbytje raportohen edhe në Berat, Lezhë, Krujë, Gjirokastër dhe Vlorë, me banesa të izoluara, toka bujqësore nën ujë dhe evakuime familjesh. Ndërkohë, reshjet e dëborës kanë përfshirë veriun, verilindjen dhe juglindjen e vendit, duke sjellë vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.
2. Situatë emergjente nga reshjet
Ministria e mbrojtjes del me deklaratë zyrtare
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar zyrtarisht lidhur me situatën e krijuar nga reshjet intensive në disa qarqe të vendit. Sipas përditësimit më të fundit, rritja e niveleve të lumenjve ka shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime të akseve rrugore.
Ministria bën me dije se qarqet më të prekura janë Shkodra, Lezha, Durrësi, Fieri, Berati dhe Gjirokastra, ndërsa në qarqe të tjera situata po monitorohet pa rrezik të menjëhershëm. Në disa zona janë regjistruar evakuime familjesh dhe izolime banesash, për shkak të niveleve të larta të ujit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në terren me efektivë, mjete të rënda, gomone shpëtimi dhe pompa thithëse, për menaxhimin e emergjencës dhe minimizimin e dëmeve. Ministria u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.
Nga rubrika antikrim, mësohet se Ervina Gjana nën hetim nga SPAK, por Proda nuk e pezullon
Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi vendimin e SPAK-ut për sekuestrimin e telefonit dhe kompjuterëve zyrtarë e privatë të Drejtoreshës së Antikrimit Kibernetik, Ervina Gjana.
Hetimi lidhet me aktivitetin e saj dhe të bashkëshortit Renato Hristiç, pjesëmarrës në grupin mafioz “Agasi”, që dyshohet se merrte të dhëna nga sistemi TIMS dhe agjencitë partnere të SHBA-së dhe BE-së.
Pavarësisht se proceduar penalisht, Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nuk e ka pezulluar Gjanën nga detyra, duke rritur shqetësimet për menaxhimin e informacionit sekret të policisë.
Ky rast, së bashku me ndikimet politike që përmenden edhe nga kryeministri Edi Rama, nxjerr në pah problemet në drejtimin e Policisë së Shtetit dhe mbrojtjen e informacionit të sensitive.
Gjithashtu Amant Josifi mbetet i paprekshëm, ortaku Biniashvili përpara drejtësisë Erlind Çekaj arrestuar, Olsi Rama dhe Olta Xhaçka të përfshirë në rrjetin kibernetik
Autoritetet gjermane kanë ngritur akuza ndaj Mikheil Biniashvili, shtetas izraelit dhe gjeorgjian, i dyshuar si kreu i rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit kibernetik “Milton Group”. Rrjeti ka prekur mbi 1.000 viktima dhe ka shkaktuar dëme mbi 230 milionë euro në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
Hetimet zbulojnë se Biniashvili drejtonte call center në Tiranë me rreth 600 punonjës dhe 28 platforma mashtruese, duke përdorur softuerin “PumaTS”. Në këtë rrjet ka qenë i përfshirë edhe Amant Josifi, i arratisur në Dubai dhe duke u përpjekur të shmangë ekstradimin në Spanjë.
Ish-këshilltari i ministrës së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, dhe ish-ortaku i vëllait të kryeministrit Olsi Rama, ka ndihmuar në ndërtimin e platformave mashtruese midis 2015–2022.
Gjithashtu, Erlind Çekaj, administrator i call center-ave në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër, Korçë e Gjirokastër, u arrestua në Dubai më 21 gusht 2023. Gjykimi i Biniashvilit nis më 15 janar në Bamberg, ku rrezikon deri në 10 vite burg për secilin rast mashtrimi.
Nga Kosova vijnë lajmet se Sami Mazreku dhe Valon Berisha, ish-zyrtarët e BKS, arrestohen. Të dy ishin denoncuar më herët nga Pamfleti për afera korruptive
Ish-drejtori ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, janë arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Operacioni, nën udhëheqjen e Kryeprokurorit Petrit Kryeziu, ka përfshirë bastisje në pronat e të dyshuarve dhe hetime për 45 qytetarë. Mazreku dhe Berisha dyshohen se kanë përfituar mijëra euro përmes keqpërdorimit të pozitave të tyre, duke manipuluar llogaritë bankare dhe kompensimet e dëmeve për aksidente trafiku.
Hetimet tregojnë se shumica e mjeteve të transferuara përfundonin tek ish-zyrtarët, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për BKS, mbi 1 milion euro. Bastisjet dhe procedimet ligjore vazhdojnë ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Për më shumë klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje