TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Janar 2026, 11:59

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni i lajmeve ora 12:00, zhvillimet kryesore në pak minuta

Ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku ndër më kryesoret rendisim:

Moti i keq, lumi Vjosa del nga shtrati

Reshjet e dendura përmbytën Gjirokastrën dhe bllokuan rrugën Kotë-Sevaster

Moti i keq me reshje të dendura ka përfshirë vendin që prej ditës së djeshme, duke shkaktuar probleme serioze.
Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Pazarit, pranë Urës së Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta. Niveli i ujit ka arritur 6.8 metra mbi nivelin e detit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë familjet për të marrë masa paraprake dhe të qëndrojnë në gatishmëri.

Në Gjirokastër, përmbytjet kanë përfshirë lagjen “18 Shtatori” pas daljes nga shtrati të përroit të Ficos. Një 23-vjeçar u shpëtua mrekullisht nga zjarrfikësit në lagjen Punëtori, ndërsa situata monitorohet nga strukturat e emergjencës.

Reshjet kanë shkaktuar probleme edhe në rrugën Kotë–Sevaster në fshatin Vajzë, ku një shkarje e dheut ka bllokuar segmentin rrugor dhe ka dëmtuar dy banesa, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Policia ndodhet në terren dhe u bën thirrje banorëve të përdorin rrugë alternative. Situata vijon të monitorohet nga autoritetet, ndërsa qytetarët paralajmërohen të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës.

Në Kukës rrezikon të izolohen një mijë banorë

Reshjet e dendura kanë shkaktuar problematika serioze në qarkun e Kukësit. Të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme, por disa segmente lokale dhe ura paraqesin rrezik të shtuar, si ura e fshatit Orgjost, ku njëra këmbë mbajtëse është dëmtuar.

Për shkak të përkeqësimit të situatës, mbi 1,000 banorë të dy lagjeve rrezikojnë të izolohen dhe fëmijët nuk janë lejuar të shkojnë sot në shkollë. Segmenti rrugor i Njësisë Administrative Zapod, si dhe rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë, vijojnë të jenë të bllokuara.

Në Bashkinë Tropojë nuk raportohet asnjë problem, ndërsa situata monitorohet vazhdimisht nga strukturat përkatëse. Në Bashkinë Has, rezervuari Helshan 2 mbetet problematik, pasi poshtë tij ndodhet një objekt shkollor.

I gjithë qarku furnizohet me energji elektrike, përveç Zapod, Shishtavec dhe Topojan, ku ndërprerjet vazhdojnë.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë të kujdesshëm dhe të respektojnë udhëzimet e emergjencës.

Ndërkohë që Shqipëria ‘gjunjëzohet’ nga moti i keq, kryeministri Rama gjen kohën të bëjë ‘humor’ në rrjetet e tij sociale.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e motit, duke ironizuar opozitën, e cila sipas tij ia ka faturuar qeverisë problemet e krijuara nga reshjet.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama ndau pamje nga vende të tjera të Europës, përfshirë Italinë, Greqinë, Kroacinë dhe Malin e Zi, të përmbytura nga reshjet e shiut, dhe ironizoi pse opozitat atje nuk fajësojnë qeveritë e tyre.

Reshjet e dendura kanë përfshirë qytete të shumta në vend, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me qarkullimin dhe pezullim të mësimit.

Situata është veçanërisht problematike në Durrës, ku rreth 800 banesa dhe dhjetëra biznese janë përmbytur, dhe në Lezhë dhe Kurbin, ku mbi 2,300 hektarë tokë bujqësore janë mbuluar nga uji dhe mësimi në disa shkolla është pezulluar.

Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron vijimin e reshjeve dhe rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dherash, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën në të gjithë vendin.

“Kurrë mos thuaj kurrë”/ Propozimi për të hyrë në politikë, Lea Ypi nuk përjashton mundësinë

Lea Ypi ka folur në studion e QUO VADIS për raportin e saj me politikën dhe angazhimin publik pas rikthimit në Shqipëri.

Ajo theksoi se politika nuk është e përjashtuar nga jeta e saj, por aktualisht prioritet kanë librat dhe puna akademike. “Politikën e kemi të gjithë. Askush nuk përjashton asgjë, por tani kam prioritet librat,” tha Ypi.
Profesoresha u shpreh se njerëzit shpesh lexojnë politikën si një show, duke u fokusuar te emrat që hyjnë dhe dalin, dhe harrojnë se politika është një proces i forcave demokratike.

“Lajmi nis nga një e pavërtetë dhe më pas zmadhohet,” shtoi Ypi, duke theksuar rëndësinë e të kuptuarit të politikës si një sistem ku demokracia nuk ndërtohet nga një individ, por nga bashkëpunimi i institucioneve dhe qytetarëve.

Për më shumë klikoni në linkun e edicionit të orës 12.00

 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje