Ju ftojmë të ndiqni një bllok lajmesh me zhvillimet kryesore nga kronika e zeze, ku ndër të tjera veçojmë:
SPAK dhe Policia e Shtetit kanë zhvilluar një seri operacionesh të gjera në disa qytete të vendit, duke goditur struktura kriminale dhe aktivitete të paligjshme.
Në një nga rastet më të mëdha, SPAK ka sekuestruar 41 pasuri të dyshuara të lidhura me Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, që përfshijnë jahte, apartamente, biznese, garazhe dhe dhjetëra hektarë pyje, ndërsa policia ka zbarkuar edhe në kompleksin “Equos Resort”.
Në Lezhë, Milot dhe Laç, Policia e Shtetit ka goditur rrjete të lojërave të fatit të lidhura me emrat Ylli Cara dhe Ilir Proda. Gjatë operacionit janë zbuluar makina fati dhe tavolina pokeri, ndërsa u shkarkua drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami.
Në vijim, në Tiranë është shtrirë një tjetër aksion kundër lojërave të fatit, ku janë zbuluar 9 ambiente të paligjshme dhe janë arrestuar 5 persona: Xhuljan Kaloshi, Klajment Çurri, Redion Muka, Edmond Ndreka dhe Klodjan Vishkurti, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Po në kryeqytet, SPAK ka ndërmarrë një tjetër operacion në “Call Center-a”, me dyshime për përfshirje të punonjësve të policisë. Janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumente dhe para, ndërsa hetimi është zgjeruar.
Në një operacion tjetër antidrogë në Tiranë, janë identifikuar 36 persona të përfshirë në shpërndarje narkotikësh, ku janë ekzekutuar 15 masa arresti. Në total janë sekuestruar 60 kg kanabis, 2 kg kokainë, 4 armë, 121 mijë euro, 60 milionë lekë dhe 5000 paund.
Në gjyqësor, Laert Haxhiu vijon procesin për 14 episode kriminale, përfshirë vrasje, atentate dhe tritol në biznesin e Noizyt. Mbrojtja e tij ka kërkuar 60 dëshmitarë, përfshirë Bashkim Rajkun dhe “Cllevio”-n (Kleviol Ahmetaj), ndërsa prokuroria kërkon dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani. Haxhiu ndodhet në burgun e Drenovës.
Në Shkodër, 27-vjeçarja ka humbur jetën pas lindjes së binjakëve, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore dhe thirrjeve për dhurim gjaku 0 negativ, ku dhjetëra qytetarë u mobilizuan. Në Fier, i burgosuri Luan Sali Bundo, 67 vjeç, i dënuar me 10 vite burg, ndërroi jetë në spital, dyshuar për arrest kardiak.
Në Itali, një ngjarje tronditëse ndodhi në Catanzaro, ku 46-vjeçarja Anna Democrito u hodh nga kati i tretë së bashku me tre fëmijët; dy fëmijë humbën jetën, ndërsa një vajzë mbijetoi rëndë. Në Spanjë, gjykata e Kastelonit dënoi me 6 vite burg një klan shqiptar të trafikut të kokainës, duke përfshirë dy drejtues dhe katër anëtarë.
Lini një Përgjigje