Rritja e çmimit të naftës ka sjellë reagimin e shoqatave të biznesit, të cilat i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare për ndërhyrje të menjëhershme me qëllim zbutjen e ndikimit në ekonomi.
Sipas tyre, karburanti është një element kyç për funksionimin e ekonomisë, ndërsa shtrenjtimi i tij po krijon një efekt zinxhir në të gjithë sektorët, nga prodhimi te shërbimet. Ata theksojnë se kjo situatë po ndikon në uljen e fuqisë blerëse, rritjen e kostove të prodhimit dhe dobësimin e konkurrueshmërisë së bizneseve.
Shoqatat i janë drejtuar qeverisë me gjashtë kërkesa konkrete, ku ndër më kryesoret mbetet rishikimi i barrës fiskale mbi karburantet, si dhe mbështetja për sektorët më të prekur si transporti, bujqësia, agropërpunimi, industria prodhuese, fasoneria, shërbimet dhe turizmi.
Po ashtu, ato propozojnë edhe masa afatmesme dhe afatgjata, përfshirë krijimin e rezervave strategjike të naftës, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe investimet në energji alternative. Sipas përfaqësuesve të biznesit, në mungesë të ndërhyrjes nga qeveria, vendi mund të përballet me rritje të mëtejshme çmimesh, mbyllje aktivitetesh dhe humbje të vendeve të punës.
Gjatë kërkesat nga Shoqata e Bizneseve:
1.Rishikimi i barrës fiskale
Është e domosdoshme rishikimi i përkohshëm dhe fleksibël i barrës fiskale mbi karburantet. Struktura aktuale e çmimit përfshin një peshë të konsiderueshme taksash, e cila rëndon mbi biznesin dhe konsumatorin. Një ndërhyrje e targetuar do të ndihmonte në stabilizimin e tregut.
Masa të tilla duhet të jenë në linjë me praktikat e vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat në periudha krize kanë aplikuar politika fiskale lehtësuese për të zbutur ndikimin mbi ekonominë dhe qytetarët.
2.Transparenca në përcaktimin e çmimit
Mungesa e transparencës në përcaktimin e çmimeve nga strukturat përkatëse mbetet shqetësuese. Kërkojmë publikim të rregullt të strukturës së çmimit; sqarim të faktorëve ndikues (tregjet ndërkombëtare, taksat, marzhet). Transparenca është thelbësore për rikthimin e besimit.
3.Forcimi i kontrollit të tregut
Institucionet duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme përmes: monitorimit aktiv të operatorëve; hetimit të çdo rasti të mundshëm abuzimi apo marrëveshjeje të fshehtë si dhe luftës kundër informalitetit.
4.Mbështetje për sektorët më të ekspozuar
Sektorët si: transporti, bujqësia dhe agropërpunimi, industria prodhuese dhe fasoneria shërbimet dhe turizmi janë ndër më të goditurit dhe kërkojnë mbështetje konkrete. Instrumentet lehtësuese janë të domosdoshme për të ruajtur konkurrueshmërinë dhe për të shmangur transferimin e plotë të kostove te konsumatori.
5.Masa afatmesme dhe afatgjata
Krijimi i rezervave strategjike të naftës për të garantuar sigurinë energjetike në raste krize;
Diversifikimi i burimeve të energjisë dhe reduktimi i varësisë nga importet;
Investime në energji alternative dhe rritje të efikasitetit energjetik;
6.Duhet të zhvillohet dialog i hapur, i rregullt dhe zhvillimor mes qeverive dhe biznesit, në mënyrë që masat kundër krizës energjetike të jenë reale, të zbatueshme dhe në funksion të ruajtjes së vendeve të punës, prodhimit dhe investimeve duke garantuar stabilitetin ekonomik dhe social ne hapësirën mbareshqiptare.
Lini një Përgjigje