TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet13 Mars 2026, 15:00

UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë ora 15:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë ora 15:00
UPDATE/ Edicioni i lajmeve kryesore nga kronika e zezë ora 15:00

Ju ftojmë të ndiqni zhvillimet kryesore nga kronika e zezë deri në këtë orë të ditës, ku ndër të tjera veçojmë:

GJKKO ka shpallur të pafajshëm gjashtë zyrtarë të ARRSH-së, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera, përfshirë një rast që lidhet me kontratën e Unazës së Madhe. Vendimi erdhi pasi procesi penal përfundoi për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale, duke përjashtuar ndjekjen e mëtejshme.

Ndërkohë, pesë persona janë shpallur fajtorë për kultivim, prodhim dhe trafik të lëndëve narkotike, si dhe veprim në grup kriminal. Dënimet e tyre variojnë nga 7 deri në 8 vite burg, me ulje një të treta për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në Rinas, policia shqiptare arrestoi Vito Cardinale, 61-vjeç, shtetas italian, i dënuar nga Gjykata e Parisit në vitin 2024 me 2 vite burg për shkaktimin e 2.5 milionë euro dëmi shtetit francez dhe shmangie të TVSH-së gjatë transaksioneve të disa kompanive. Arrestimi u realizua gjatë një kontrolli kufitar dhe ai pritet të ekstradohet në Francë.

Në Tiranë, një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në një pallat në rrugën “Ali Demi”. Flakët përfshinë katin e parë dhe u përhapën me shpejtësi, duke shkaktuar vdekjen e Theodhor Llullës, 72 vjeç, i cili dyshohet se humbi jetën nga asfiksia nga tymi. Ekipet e zjarrfikëses dhe ambulancat reaguan menjëherë për të neutralizuar flakët dhe për të ndihmuar banorët.

Një tjetër ngjarje tragjike ndodhi në Spaç, ku minatori E. Gj., babai i pesë fëmijëve, u plagos rëndë në minierën e bakrit. Sindikatat dhe KSSH reaguan duke theksuar mungesën e masave bazë të sigurisë, stafit të kualifikuar dhe kontrolleve, duke kërkuar hetim të plotë dhe përgjegjësi konkrete nga kompania dhe institucionet shtetërore.

Kristjan Kola, 20 vjeç, ndërroi jetë pas një aksidenti automobilistik në aksin Rrile–Shënkoll. Automjeti me të cilin udhëtonte u përplas fillimisht me një mjet tjetër dhe më pas doli nga rruga, duke goditur një shtyllë ndriçimi. I riu u transportua urgjentisht në Spitalin e Traumës, por plagët e marra rezultuan fatale.

Në Tiranë, dy vajza, njëra 18-vjeç dhe tjetra e mitur, u zhdukën nga banesa e familjes së tyre. Babai i tyre ka kallëzuar rastin pranë Policisë, e cila po bashkëpunon me komunitetin dhe apelon tek qytetarët për çdo informacion mbi vendndodhjen e tyre.

Dogana shqiptare, në bashkëpunim me degët në Kakavijë dhe Durrës, bllokoi 5340 palë atlete të dyshuara për shkelje të pronësisë intelektuale, që mbajnë emrat e markave “Christian Dior” dhe “New Balance”. Mallrat janë sekuestruar për verifikime të mëtejshme dhe procedurat për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për produkte të falsifikuara vazhdojnë.

Në nivel ndërkombëtar, autoritetet e Ekuadorit, me mbështetjen e Policisë Mbretërore të Kanadasë, arrestuan 26 persona gjatë operacionit “Bremen”, duke goditur një rrjet trafikantësh droge të lidhur me mafian shqiptare dhe grupin Los Lagartos. Gjatë hetimeve 20-mujore u sekuestruan rreth 300 kilogramë drogë dhe pesë automjete luksoze, ndërsa droga e konfiskuar vlerësohet të ketë shkaktuar një dëm ekonomik prej 68 milionë dollarësh për organizatat kriminale.

Në Prishtinë, Gjykata Themelore caktoi masën e paraburgimit për një muaj ndaj artistit të njohur Gjest, i dyshuar për kanosje, dëmtim pasurie dhe mbajtje pa autorizim të armëve. Gjykata arsyetoi se paraburgimi është i nevojshëm për të garantuar rrjedhën e hetimit dhe për të parandaluar rrezikun e ikjes, ndikimit tek dëshmitarët dhe përsëritjen e veprës. Palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.

edicioni i lajmeve kronika e zezë

Lini një Përgjigje