Pas tre ditësh në ‘luftë’ me flakët, forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit që shkrumboi mbi 25 hektarë sipërfaqe me pisha, dushk, shkurre dhe ullishte në zonën e Peshtanit në Fier.
Repartet zjarrfikëse te Fierit, Patosit, Rroskavecit dhe Alpetrolit u angazhuan për të bërë të mundur neutralizimin e vatrës së fundit aktive të zjarrit, në mënyrë që të evitohej mundësia e riaktivizimin të saj gjatë orëve në vijim me rritjen e temperaturave.
Sipas shefit të shërbimit zjarrfikës në Bashkinë Fier, Zija Hyka, përgjatë gjithë natës një mjet zjarrfikës dhe një mjet shërbimi kanë qenë në gatishmëri ndërkohë që rreth orës 0.1:00 të mesnatës pati një aktivizim vatre zjarri dhe për shuarjen e saj në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë tre automjete zjarrfikëse, të cilat për gati dy orë punë bënë të mundur neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit.
Shefi i shërbimit zjarrfikës, i bën thirrje qytetarëve që të telefonojnë ne numrin 128 për çdo rast emergjence.
Lini një Përgjigje