Mëngjesin e kësaj të mërkure ka nisur zyrtarisht heqja e plotë e urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, në segmentin kombëtar Librazhd–Prrenjas.
Struktura u shpall e pakthyeshme pas dëmtimeve të rënda të shkaktuara nga lëvizjet e tokës, të cilat goditën themelet dhe e nxorën jashtë funksioni.
Sipas ekspertëve në terren, një rrëshqitje e fuqishme e masivit ka shkaktuar zhvendosje të trupit të rrugës dhe çarje të shtresave mbajtëse, duke e bërë të pamundur çdo ndërhyrje riparuese. Për shkak të rrezikut që paraqiste për qarkullimin, u vendos shembja e kontrolluar e saj.
Operacioni po zhvillohet me mjete të specializuara dhe nën monitorim të vazhdueshëm teknik, pasi zona konsiderohet ende e paqëndrueshme. Në disa pjesë përreth raportohen lëvizje të vazhdueshme të tokës, çka e bën ndërhyrjen delikate.
Ndërprerja e funksionimit të urës ka krijuar probleme serioze në qarkullim, duke detyruar devijimin e automjeteve në rrugë alternative rurale, të cilat nuk janë të përshtatura për fluks të lartë. Banorët e zonës flasin për vështirësi në lëvizje dhe vonesa në transport.
Institucionet përgjegjëse pritet të prezantojnë një projekt të ri për ndërtimin e një ure tjetër, të projektuar sipas kushteve gjeologjike të zonës. Ndërkohë, komuniteti lokal kërkon afate të qarta dhe garanci që ndërhyrja e radhës të jetë afatgjatë dhe e sigurt.
Lini një Përgjigje