Një tërmet me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter tronditi mbrëmjen e sotme zonën e Belshit, duke u ndjerë edhe në disa qytete të tjera të vendit. Lëkundjet u regjistruan rreth orës 20:00 dhe shkaktuan shqetësim te banorët, ndërsa u pasuan nga dy pasgoditje.
Sipas sizmiologut Rrapo Ormeni, nuk ka vend për panik. Në një intervistë në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, ai sqaroi se epiqendra e tërmetit ka qenë 6 kilometra në perëndim të Belshit dhe 11 kilometra në lindje të Lushnjës, ndërsa lëkundjet janë ndjerë edhe 23 kilometra në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 kilometra në jug të Tiranës.
“Nuk ka vend për panik. Epiqendra e tërmetit është 6 km në perëndim të Belshit dhe 11 km në lindje të Lushnjës, gjithashtu dhe 23 km në jugperëndim të Elbasanit dhe 36 km në jug të Tiranës. Është ndjerë fuqishëm në zonën epicentrale në Belsh e Lushnje me intensitet 5 ballë. Është ndjerë dhe në Tiranë. ka pasur 2 pasgoditje. Në Elbasan, Tiranë e Berat është ndjerë me intensitet 4 ballë”, tha sizmiologu.
Sipas Ormenit, segmenti Lushnjë–Elbasan–Dibër përbën një nga zonat më aktive sizmike në Shqipëri, për shkak të një thyerjeje të madhe tektonike që shtrihet nga jugu i vendit drejt veriut dhe më tej në rajon.
“Zona Lushnje-Elbasan-Dibër janë zonat më aktive të vendit, sepse është një thyerje e madhe që shtrihet deri në jug, në Vlorë-Fier-Lushnjë-Dibër dhe shkon deri në Tetovë e Gjilan. Në këtë segment gjenerojnë herë pas here tërmete. Tërmetet kur kalojnë magnitudë 4.5 zakonisht shkaktojnë dëmtime”, tha ai.
Eksperti theksoi gjithashtu se lëvizjet tektonike mund të sjellin edhe çarje të tokës, veçanërisht kur magnituda e tërmeteve arrin nivelin 5.
Lini një Përgjigje