TAGS-AT E JAVËS

Kronike 2 Korrik 2026, 10:03

U arrestua nga agjentët e BKH-së, publikohen pamjet e prangosjes së Adi Çobës në Durrës

Shkruar nga Pamfleti

U arrestua nga agjentët e BKH-së, publikohen pamjet e prangosjes

Publikohen pamjet nga momenti i arrestimit të Adi Çobës në Durrës, i cili u vu në pranga nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme. Sipas raportimeve, në aksion nuk morën pjesë struktura të Policisë së Shtetit.

Emri i Adi Çobës u bë publik për herë të parë pas operacionit ndërkombëtar "Ura", i cili goditi një rrjet të dyshuar të trafikut të lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë. Deri atëherë, ai nuk rezultonte i njohur në dosjet e drejtësisë shqiptare.

Sipas dokumenteve të autoriteteve italiane, Çoba konsiderohet një nga figurat kryesore të organizatës kriminale. Hetuesit italianë dyshojnë se ai koordinonte nga Shqipëria aktivitetin e grupit dhe organizonte furnizimin me sasi të mëdha heroine dhe kokaine, të destinuara për tregun italian.

Në dosjen hetimore thuhet se, në cilësinë e drejtuesit të grupit, ai organizonte dërgimin e korrierëve që transportonin lëndët narkotike nga Shqipëria dhe Holanda drejt Italisë, në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të organizatës.

Po sipas hetimeve italiane, është dokumentuar edhe një bashkëpunim i ngushtë i dyshuar mes Adi Çobës dhe Elvis Doçit, i njohur si "Visi i Pojës", në aktivitetin e trafikimit të narkotikëve.

Arrestimi i Çobës vjen në vijim të zhvillimeve të operacionit "Ura", ndërsa hetimet për rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës vijojnë në bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane./Report TV

Lini një Përgjigje