SPAK është tërhequr nga akuzat ndaj Jonaid Myzyrit dhe katër anëtarëve të Komisionit të Prokurorimit Publik.
Prokuroria Speciale kërkon pushimin e çështjes ndaj Myzyrit, ish-kreut të KPP-së dhe anëtarëve të këtij Komisioni, të cilët akuzoheshin për shkelje të barazisë në tendera, raporton Report TV. Bashkë me Myzyrin, SPAK nisi hetimet edhe ndaj Vilma Zhupaj, Lindita Skeja, Merita Zeqaj dhe Enkeleda Bega, të gjithë anëtarë të KPP-së. Pas disa muajsh hetimesh, SPAK duket se nuk ka arritur të provojë akuzat, duke kërkuar pushimin e ccështjes.
Ndaj Jonaid Myzyrit, SPAK nisi hetimet për një seri tenderash, duke e akuzuar për shkelje të barazisë.
Myzyri u paraqit disa herë në SPAK për të dhënë shpjegime lidhur me procedurat e ndjekura, ndërsa ka shmangur gjithmonë deklaratat në media.
SPAK hetoi procedurat e tenderave përgjatë viteve 2020-2023, me dyshimet se ishin zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në rast të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.
Në kuadër të hetimit, SPAK urdhëroi edhe sekuestrimin e një sërë procedurave, ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi ka dalë në konkluzionin se dëmi ekonomik i shkaktuar nga abuzimet me tenderat kap vlerën e 2 miliardë e 550 milionë eurove.
GJKKO caktoi për Myzyrin dy masa sigurie: detyrim paraqitje dhe pezullim nga detyra. Më pas, GJKKO rrëzoi një nga masat e sigurisë, atë të pezullimit nga detyra, ndërsa SPAK vijonte hetimet.
Prokuroria Speciale e akuzoi Myzyrin edhe për një tender me vlerë rreth 2.2 milionë euro në vitin 2020 për mirëmbajtjen e segmentit rrugor rreth 59 kilometra Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit.
Sipas SPAK, ky Komision, në kundërshtim me ligjin ka favorizuar bashkimin e kompanive AEK MUNELLA dhe DRINI-1, të cilat e kanë fituar tenderin 2.2 milionë eurosh me dokumente të falsifikuara. Në këtë proces ka pasur ankesa nga operatorë të tjerë, të skualifikuar nga KPP me arsyetimin se oferta me vlerë më të ulët që kishte paraqitur ishte anormale.
'... Ja pra qe nuk ka patur krisma ! ' = edhe pse ka patur shume ¨te vrare¨ ..... , e miliona Euro ¨te zhdukura¨ nga Buxheti i Shtetit !