
Mbrëmjen e sotme në Tiranë, ambasadorë të huaj kanë zhvilluar një takim pune me krerët më të lartë të institucioneve të drejtësisë. Në tryezë ishin të pranishëm ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e SHBA-ve Nancy VanHorn, ambasadori i Italisë Marco Alberti, ambasadorja e Austrisë Monika Zach, si dhe diplomatë të ambasadave të Francës e Gjermanisë.
Fokusi i diskutimeve, sipas mesazhit publik të ambasadorit të Holandës Reinout Vos, ishte fuqizimi i institucioneve të pavarura dhe garantimi i llogaridhënies, si elementë të domosdoshëm për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ne organizuam një mëngjes pune me institucionet e drejtësisë në Shqipëri (ILD, KLP, KLGJ) dhe partnerët diplomatikë. Roli i institucioneve të pavarura është thelbësor për avancimin e integrimit në BE, përmes zbatimit të reformave, garantimit të pavarësisë dhe forcimit të llogaridhënies”, u shpreh Vos.
Ky takim vjen në një kohë kur procesi i integrimit është i lidhur ngushtë me ecurinë e reformës në drejtësi. Mesazhi i ambasadorëve tregon se partnerët ndërkombëtarë po mbajnë në monitorim të afërt institucionet shqiptare, duke i bërë të qartë elitës politike se pa pavarësi reale të drejtësisë, rruga drejt BE-së mbetet e bllokuar.
Lini një Përgjigje