
Analisti Enton Abilekaj ka folur për aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, duke ngritur shqetësime për rolin e institucioneve dhe mungesën e reagimit të policisë.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ai theksoi se përtej sjelljes individuale, rasti nxjerr në pah probleme më të thella strukturore.
“Të flasim për veset e shqiptarëve është e lehtë, por rasti ngre pyetje. Kemi tre fëmijë që luajnë në trotuar, sepse nuk kanë ku të luajnë. Një rrugë të gjerë, por pa trotuare të mjaftueshme”, u shpreh Abilekaj.
Analisti theksoi se banorët kishin raportuar më herët sjelljen e rrezikshme të autorit, por pa rezultat.
“Banorët që ankohet për një person që kalon me shpejtësi të lartë por nuk dëgjohen, një aksident tragjik që pasi ndodh, personi nuk shkon në polici por te një mik i tij, pushtetar i zonës”, deklaroi ai.
Sipas Abilekajt, rasti kërkon një analizë më të thellë të përgjegjësive. “Për të gjetur fajtorët e vërtetë, nga vjen, ne duhet të bëjmë pyetjet, pse fëmijët luajnë në trotuar? Kush është fajtor?”, tha ai.
Ai ngriti pikëpyetje edhe për mosveprimin e policisë ndaj një personi të raportuar disa herë.
“Me çfarë guximi, ky njeri shkon të pijë dhe dehet, merr makinën dhe kthehet prapë me shpejtësi, pavarësisht se banorët ankohen në polici? Pse policia nuk ndërhyn? Pse e sheh si mundësi për të bërë para?”, u shpreh Abilekaj.
Abilekaj theksoi ndikimin e korrupsionit të lartë në shoqëri. “Edhe shoqëria dorëzohet, kur sheh që ka vetëm hallka korrupsioni”, deklaroi ai.
Gjithashtu, analisti e cilësoi situatën si një problem më të gjerë institucional dhe shoqëror.
“Degradim i plotë i shtetit, dhe pastaj degradon edhe shoqëria. I forti, me të pambrojturin është në diferencë ta madhe”, u shpreh Abilekaj.
Lini një Përgjigje