
Gazetari Artan Hoxha ka folur lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, ku Nikoll Radaçi përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë e një dështimi të vazhdueshëm institucional.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha tregoi detaje nga momenti i aksidentit dhe kushtet në të cilat ndodhi.
“Ngjarje e rëndë që të lë pa fjalë. Tre fëmijë duke luajtur në rrugicën e lagjes, në trotuar, hapësira aty nuk të jep mundësi të drejtosh mjetin me shpejtësi të madhe. Gjithsesi, së pari ngushëllime për familjet që kanë humbur dy fëmijët. Skena, mjafton një foto dhe jo gjë tjetër për të kuptuar se çfarë ka ndodhur aty”, u shpreh ai.
Sipas tij, shpejtësia e lartë dhe gjendja e drejtuesit të mjetit kanë qenë faktorë kyç në tragjedi.
“Fëmijët në mungesë, se s'kanë ku të luajnë, janë goditur. Shpejtësia ka qenë shumë e lartë dhe automjeti ka qenë jashtë kontrollit, sasia e alkoolit 0.7 miligram për litër, një përqindje shumë e lartë, ka qenë krejt jashtë kontrollit”, deklaroi Hoxha.
Ai vuri në dukje edhe profilin problematik të autorit, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si ai kishte arritur të shmangte masat ligjore.
“Ajo që e bën më trishtuese, shkojmë te pjesa që, si është e mundur që këta lloj personazhi, për më tepër i kishte vënë nofkën vetes ‘bisha’, i pëlqente ta quanin ‘bisha’”, tha ai.
Hoxha theksoi se autori kishte një histori të gjatë shkeljesh dhe problematikash.
“E gjithë CV e personit dhe shkeljet, ishte shkelës i rregullt i Kodit Rrugor. Njeri problematik, i alkoolizuar, kishte konflikte me fqinjët, ka qenë shkelës permanent i Kodit Rrugor. Si ka mundësi që është lejuar të jetë kërcënim të rrugët e vendit?”, u shpreh ai.
Sipas gazetarit, mungesa e ndërhyrjes në kohë nga institucionet ka kontribuar në këtë ngjarje tragjike.
“Është njeri që në tre raste i është hequr një muaj patentën, kur i duhej hequr fare”, deklaroi Hoxha.
Ai ngriti pikëpyetje për mënyrën se si një person me precedentë të tillë ka vijuar të qarkullojë lirshëm.
“Si ka mundësi, kur e sheh të njëjtin njeri, që përsërit të njëjtat shkelje, përbën rrezik për jetën e vet dhe për shoqërinë, një minë lëvizëse nëpër qytet”, tha ai.
Në vijim, Hoxha foli për dështimin e zbatimit të ligjit ndër vite. “Mungesa e agjencive të zbatimit të ligjit, pasi është shkelës disa herë. Që nga 2020, përsërit të njëjtat shkelje dhe lejohet të lëvizë në qytet”, deklaroi ai.
Ai shtoi se masat e marra pas ngjarjes janë të vonuara. “Ky njeri, shkelës i rregullt i ligjit, i ka mbijetuar masave të ndërmarra. Sot shkarkuan drejtorin e qarkut, shefin e qarkullimit, por dëmi është bërë”, u shpreh Hoxha.
Gazetari theksoi se rasti duhet të ishte trajtuar më herët nga autoritetet. “Këto shkelje duhet të ishin ndjekur në atë kohë. Duheshin çuar edhe në gjykatë. Kodi Rrugor parashikon heqje patente. Duke qenë recidivist, nuk kishte frikë as inspektonin në lagje, krahët si duket i ka patur të ngrohtë, kjo e bën të ketë këtë papërgjegjshmëri”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje