Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka lënë në burg kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro.
Kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, u vu në pranga 23 Mars me urdhër të SPAK pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste duke tjetërsuar dy prona me sipërfaqe 10592 m2 në Dhërmi, ku bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi do të ndërtojë resort 5.5 milionë euro.
Bashkë me Goron janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, tre prej të cilëve janë lënë në “arrest shtëpie”.
I arrestuar është pronari i tokës, Stavri Mëhilli i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.
Në arrest shtëpie janë lënë Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë kur nisi hetimi, Vezir Gjikoka ish-jurist, Jerasimo Bashi ish-drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë.
Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK Drejtoria Vendore Vlorë kur nisi hetimi, akuzohet nga SPAK si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Jerasimo Bashi, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.
Vezir Gjikoka, me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.
Pazarat e Jorgo Goros për tokat në Dhërmi
Nga hetimet e deritanishme rezulton se Jorgo Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashi pa bërë asnjë verifikim, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumentE tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka është tjetërsuar në favor të Stavri Mehillit duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të.
Sipas SPAK Mëhillit ka përdorur më shumë se një here dokumente dhe formularë të falsifikuar, veprime që kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mëhillit të sipërfaqes prej 5512 m2.
Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin Artan Gaçi.
Gjithashtu sipas SPAK, Goro në një tjetër rast ka realizuar zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
Dy rastet e tjetërsimit të pronave në Dhërmi
Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit.
Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin.
Në rastin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).
Lini një Përgjigje