
SPAK i ka komunikuar akuzat ish-ministrit Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit për aferën e inceneratorëve.
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-ministrin Arben Ahmetaj dhe dy biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, dhe u ka komunikuar nëpërmjet avokatëve akuzat për dosjen, e cila rrjedh nga hetimi për inceneratorin e Elbasanit.
Ndaj Ahmetajt rëndon akuza e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë, teksa ndaj dy biznesmenëve, ajo e korrupsionit dhe pastrimit të parave. SPAK u ka komunikuar akuzat avokatëve të tyre, pasi Ahmetaj, Mërtiri dhe Zoto janë në kërkim nga policia.
Për të njëjtën dosje pritet që SPAK të marrë si të pandehur edhe persona të tjerë, teksa ka ndarë hetimet në një procedim tjetër.
Biznesmeni Mirel Mërtiri është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia, pas urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK. Mërtiri është vënë nën akuzë për korrupsion në aferën e inceneratorëve.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme akuzoi zyrtarisht biznesmenin Mirel Mërtiri për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit më 15 nëntor 2022.
“Shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhej askohohe në aktakuzën e SPAK.
Lini një Përgjigje