TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Mars 2024, 10:52

Pazaret që sollën prangat e SPAK/ Si Jorgo Goro me vartësin e tij Jerasimo Bashi falsifikuan dokumentet dhe i dhanë pronat në Dhërmi Artan Gaçit për resortin 5.5 mln euro

Shkruar nga Pamfleti
Pazaret që sollën prangat e SPAK/ Si Jorgo Goro me vartësin e tij
Jorgo Goro dhe Artan Gaçi

Kryetari në detyrë i Bashkisë Himarë Jorgo Goro, u vu në pranga 23 Mars me urdhër të SPAK pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste duke tjetërsuar dy prona me sipërfaqe 10592 m2 në Dhërmi, ku bashkëshorti i Olta Xhaçkës, Artan Gaçi do të ndërtojë resort 5.5 milionë euro.

Goro u arrestua në një lokal në Dhërmi rreth orës 17:00 teksa ndodhej në shoqërinë e disa personave të tjerë.

Përveç Goros masa “arrest në burg” është caktuar edhe për Stavri Mehillin, i cili është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka përfituar një nga tokat dhe ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”.

Në tjetërsimin e provave janë përfshirë edhe tre persona të tjerë Jerasimo Bashi, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bilbil Aliaj ish Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë dhe Vezir Gjikoka Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Jerasimo Bashi, drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë e Himarës është kushëriri i parë i Matilda Makoçit, gruas së parë të Edi Ramës

Ndaj të treve SPAK ka ngritur akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Dy rastet e tjetërsimit të pronave në Dhërmi

Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. 

Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve, Stavri e Foto Mëhilli, është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues Artan Gacin.

Në rastin e dytë një pronë bujqësore prej 5080 m2, Jorgo Goro në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasimo Bashi, e ka kthyer pronë shtet, ku më pas janë kryer transaksione. Në kufi me këtë sipërfaqe toke, sipërmarrësi privat, Artan Gaçi, ish- deputet i PS- së, i kishte blerë tokën me dokumente të falsifikuara Stavri Mëhillit. Sipërfaqja e tokës më pas është bashkuar në një të vetme dhe pas kësaj shoqëria tregtare e drejtuar prej Artan Gaçit merr leje ndërtimi për një kompleks turistik, i cili do të ndërtohet në të dyja sipërfaqet e tokës, në total (10.592 m2).

Pazarat e Jorgo Goros për tokat në Dhërmi

Nga hetimet e deritanishme rezulton se Jorgo Goro në bashkëpunim me  Jerasimo Bashi pa bërë asnjë verifikim, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumentE tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.

Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka është tjetërsuar në favor të Stavri Mehillit duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të.

Sipas SPAK Mëhillit ka përdorur më shumë se një here dokumente dhe formularë të falsifikuar, veprime që kanë sjellë edhe regjistrimin fillestar në emër të Foto Mëhillit të sipërfaqes prej 5512 m2.

Pas regjistrimit të pasurisë në emër të trashëgimtarëve është vijuar me transaksionet të cilat kanë konkluduar në regjistrimin e pronës në emër të shoqërisë private me përfaqësues shtetasin Artan Gaçi.

Gjithashtu sipas SPAK, Goro në një tjetër rast ka realizuar zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Akuza e SPAK për Jorgo Goron

SPAK e akuzon Goron se ka shpërdoruar detyrën në dy episode, në të parin duke shmangur Këshillin e Qarkut, për sipërfaqen prej 5512 metra katrorë tokë dhe mbi bazën e dokumentit të tij toka u regjistrua në kadastër në kundërshtim me ligjin dhe më pas iu shit nga Stavri Mëhilli ish-deputetit Gaçi me një vlerë relativisht të ulët krahasimisht me tregun.

Stavri Mëhilli e kishte siguruar pronën përmes dokumenteve false e për këtë, ai është shpallur në kërkim, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Kryebashhkiaku në detyrë i Himarës akuzohet edhe për sipërfaqen prej 5080 metra katrorë që po ashtu në finale ka kaluar në duart e bashkëshortit të Olta Xhaçkës. Në lidhje me këtë sipërfaqe, ai e ka kaluar përgjegjësinë tek Drejtoria e Menaxhimit në tokës.

Goro ka deklaruar para prokurorëve, se thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Kadastrës së Vlorës pas përpilimit të dokumentacionit nga drejtoria përkatëse. Por sipas SPAK Goro në bashkëpunim me Jerasimo Bashin, në atë kohë drejtori i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, pa kryer verifikime kanë përcjellë dokumente të falsifikuara pranë organeve kompetente dhe mbi bazën e tyre, ka bërë të mundur regjistrimin e sipërfaqes prej 5512 m2 tokë bujqësore pronësi shtet në favor të subjektit “Pribta”.

Prokuroria thotë më tej së ka kryer veprime faktike në terren të sipërfaqes së tokës bujqësore prej 5080 metra katrorë duke ja mbivendosur atë një pasurie toke shtet. Goro pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Posaçme të martën. Bashkë me të do të njihen me masat edhe Vezir Gjikoka dhe Bilbil Aliaj. Jerasimo Bashi dhe Stavri Mëhilli nuk janë gjetur ende nga policia, ndaj masat e sigurisë për ta, nuk janë ekzekutuar.

Jorgo Goro si Shvejku: Nuk di gjë çfarë është bërë, thjesht kam firmosur”

Dje u zbardh dëshmia e kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro me urdhër të SPAK pasi akuzohet për tjetërsim prone.

Në dëshminë e tij Goro ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të veprimeve që ka kryer po thjeshtë ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni që drejtonte.

Ndër të tjera ai ka deklaruar se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve. Goro shprehet se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

“I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Jorgo Goro shpjegon ndër të tjera se: ..në lidhje me kërkesën me nr. 19555 datë 07.09.2016, nga zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Drejtoria e Mbrojtës dhe Menaxhimit të Tokës ka kryer veprimet e saj për të cilat ai nuk është në dijeni, por thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Z. V. R.PP. Vlorë, pas përpilimit nga drejtoria përkatëse.

Pra e gjitha procedura e ndjekur për rastin në fjalë është trajtuar nga drejtoria përkatëse e cila ka kryer verifikimet përkatëse, dhe nga Bashkia Himarë është kthyer përgjigje me shkresë nr.2751/1 datë 13.09.2016.

I pyetur se çfarë baze ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve. Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht në nenin 29 pika 3 të ligjit me nr. 139 vitit 2015, i ndryshuar me ligjin nr. 38/2019, datë 20.06.2019, i cili parashikon se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.

I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gjilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk disponojnë (bashkia) harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa më poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është pērgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z. R.P.P. Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, pra ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr 36/35”, thuhet në dosje.

Dëshmia e Stavri Mëhillit

Stavri Mëhilli akuzohet se përmes dokumenteve të falsifikuara ka bërë regjistrimin fillestar të tokës bujqësore 5512 m2, të ndodhur në Dhërmi të Vlorë në emër të Foto Mëhillit që rezulton i atij dhe më pas përmes transaksioneve në përfundim prona është regjistruar në pronësi të shoqërisë "AG. TCC" shpk me përfaqësues Artan Gaçin.

“Stavri Mëhilli deklaron se prona ka qenë e babait të tij shtetasit Foto Mëhilli, i cili ka pasur në pronësi një AMTP. Ky shtetas shpjegon se babai ka vdekur në vitin 2015 dhe i ka lënë në shtëpi këtë AMTP, te cilën ja ka lënë në original dhe të cilën ai e ka pasur në shtëpi.

Shtetasi Stavri Mëhilli ka shpjeguar procedurën e ndjekur, duke u shprehur se fillimisht ka bërë kërkesë për konfirmim AMTP-je në Këshillin e Qarkut Vlorë, në Drejtorine e Administrimit të Tokës që gjendet në varësi të këtij institucioni. Kërkesën e ka parapërgatitur me shkrim pranë Këshillit të Qarkut Vlorë, në vitin 2019 dhe porsa i kujtohet, ajo është protokolluar. Ai deklaron se i është kthyer përgjigjje nga Këshilli i Qarkut Vlore, ku bashkëlidhur i ka ardhur konfirmimi i formularit nr. 6, ne emër të babait. Sipas tij, i ati kishte në pronësi sipas AMTP-se dy parcela, një në vendin "Llangadhage" dhe një në "Perivolo, sip 5512 m2". Deklaruesi vijon me shpjegimet e tij se, kthimi i përgjigjes nga Këshilli i Qarkut Vlorë i ka shkuar me zarf në shtëpi, brenda te cilit ishte konfirmimi i formularit nr. 6. Më pas ai sqaron se ka bërë një deklaratë noteriale te kufitareve. Parcela në vendin "Perivolo" ka vetem një kufitar, shtetasin Andrea Duni. Pasi ka bere gati dosjen tek noteri, duke perfshire dokumentet si: AMTP e noterizuar, kthim përgjigje nga Këshilli i Qarkut Vlore, deklaratën noteriale të kufitarëve, ka bërë kërkesë në Bashkinë Himarë për regjistrimin e pronës' thuhet në dosje.

Ndaj Goros u verifikuan dy kallëzime penale, një prej të cilëve u hetua fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe një tjetër u bë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili është në burg, i dënuar për korrupsion zgjedhor. Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e SPAK në Shtator 2023./ Pamfleti

jorgo goro spak jerasimo bashi

Lini një Përgjigje