TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet26 Mars 2024, 08:00

SPAK i vuri prangat për pronat në Dhërmi që ia dha Artan Gaçit, Jorgo Goro jep llogari sot para GJKKO

Shkruar nga Pamfleti
SPAK i vuri prangat për pronat në Dhërmi që ia dha Artan
Jorgo Goro

Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro i cili u arrestua me urdhër të SPAK do të dalë sot në GJKKO, ku do t’i verifikohet masa e sigurisë dhe do të merret në pyetje. Po në këtë seancë do verifikohen edhe masat e sigurisë për 4 të akuzuarit e tjerë, dy prej tyre ende në kërkim. 

Goro është transferuar në bllokun e sigurisë në Tiranë, nga ku do të shoqërohet për t’u dërguar në gjykatë. Goro u prangos më 23 mars me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një sipërfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, bashkëshorti i Olta Xhaçkës.

Artan Gaçi është shpallur investitor strategjik nga qeveria për ndërtimin e një komleksi turistik në Himarë, me vlerë 5.5 milionë euro.  

Bashkë me të, nën hetim janë marrë edhe 4 persona, njëri prej tyre në arrest në burg, pronari i pronës dhe 3 të tjerët në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Për këta të fundit, SPAK ka ngritur dyshimet se kanë falsifikuar dokumente duke përfituar në kundërshtim me ligjin.

Prokuroria e Posaçme thotë se Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, kanë përcjellë në insitucione të tjera dokumentet të falsifikuara duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. Masa e sigurisë ndaj tij u ekzekutua gjatë orëve të pasdites nga policia.

Dëshmia e Jorgo Goros: “Nuk di gjë çfarë është bërë, thjesht kam firmosur”

Dje u zbardh dëshmia e kryebashkiakut në detyrë të Himarës Jorgo Goro me urdhër të SPAK pasi akuzohet për tjetërsim prone.

Në dëshminë e tij Goro ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të veprimeve që ka kryer po thjeshtë ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni që drejtonte.

Ndër të tjera ai ka deklaruar se ka vepruar për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes palëve. Goro shprehet se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

“I pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasi Jorgo Goro shpjegon ndër të tjera se: ..në lidhje me kërkesën me nr. 19555 datë 07.09.2016, nga zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, Drejtoria e Mbrojtës dhe Menaxhimit të Tokës ka kryer veprimet e saj për të cilat ai nuk është në dijeni, por thjesht ka firmosur kthim përgjigjen si titullar institucioni drejtuar Z. V. R.PP. Vlorë, pas përpilimit nga drejtoria përkatëse.

Pra e gjitha procedura e ndjekur për rastin në fjalë është trajtuar nga drejtoria përkatëse e cila ka kryer verifikimet përkatëse, dhe nga Bashkia Himarë është kthyer përgjigje me shkresë nr.2751/1 datë 13.09.2016.

I pyetur se çfarë baze ligjore kishte shërbyer për të si kryetar bashkie, për të konturuar pasurinë me numër 36/35, deklaruesi është përgjigjur se ka ndërhyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes shtetasve. Kjo kompetencë, sipas deklaruesit, parashikohet në ligjin e vetëqeverisjes vendore dhe konkretisht në nenin 29 pika 3 të ligjit me nr. 139 vitit 2015, i ndryshuar me ligjin nr. 38/2019, datë 20.06.2019, i cili parashikon se në fushën e sigurisë publike, bashkitë janë përgjegjëse për garantimin e marrëdhënieve në komunitet, parandalimin dhe ndërmjetësimin për zgjidhjen e konflikteve në komunitet.

I pyetur në lidhje me shkresën nr. 2751/1datë 13.09.2016, nga Bashkia Himarë, drejtuar Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Vlorë, ku është shprehur se në Z.K. 1739-Gjilek nuk është kryer procesi i regjistrimit të parë fillestar sistematik (menaxhim) dhe se nuk disponojnë (bashkia) harta treguese të regjistrimit (H.T.R.), duke mos mundur në këtë mënyrë të shprehen për juridiksionin dhe vendosjen e pronave, ndërsa më poshtë është shprehur mendimi se ka mbivendosje dhe se pronat e Haris Runa dhe Krenar Adilit ndodhen në zonë e konturuar me nr. 36/35, shtetasi Jorgo Goro është pērgjigjur se ka dhënë vetëm një mendim se ku mund të jetë prona e shtetasit Haris Runa dhe Krenar Adili, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

I pyetur nga është nisur për të dhënë një mendim për identifikimin me numër të pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adili, deklaruesi shprehet se kërkesa me nr. 19555 prot., datë 07.09.2016 e Z. R.P.P. Vlorë nuk parashikon dhënie mendimi për konturimin e pronës së shtetasve Haris Runa dhe Krenar Adilit, pra ata si institucion kanë shkuar më tej në përgjigjen e tyre kur kanë dhënë mendim që pronat e këtyre shtetasve konturohen në pasurinë me nr 36/35”, thuhet në dosje.

Ndaj Goros u verifikuan dy kallëzime penale, një prej të cilëve u hetua fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe një tjetër u bë nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i cili është në burg, i dënuar për korrupsion zgjedhor. Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e SPAK në Shtator 2023.

Dy rastet që akuzohet se ka tjetërsuar pronat në Dhërmi

Rasti i parë për të cilin akuzohet Jorgo Goro:

Sipas Prokurorisë, Jorgo Goro në bashkëpunim me Drejtorin e Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës të Bashkisë Himarë me iniciale J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës, Drejtorit të ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë me iniciale B.A dhe Juristit pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë me iniciale V.GJ. është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të. Ky tjetërsim është shoqëruar me përftim material të padrejtë për shtetasin tjetër nën hetim S.M. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Rasti i dytë për të cilin akuzohet Jorgo Goro:

Gjithashtu, Jorgo Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në një episod tjetër objekt hetimi i të njëjtit procedim penal, ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës penale. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., ka realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe  më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e  cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e  pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana shtetasit J.G. dhe J.B, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë./ Pamfleti

jorgo goro spak

Lini një Përgjigje