TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet24 Qershor 2026, 20:26

“Suksesi është arritur", aktivistja nga protesta: S'mund të na blejnë më me bukën e gojës!

Shkruar nga Pamfleti

“Suksesi është arritur", aktivistja nga protesta:

Aktivistja Sidorela Vatnikaj ishte një nga qytetaret që mbaji fjalën në protestën e 25-të kundër kryeministrit Rama në Tiranë.

Ajo deklaroi se qytetarët kanë nisur të ndërtojnë një frymë të re politike dhe se protestat tashmë kanë sjellë ndryshime në mënyrën se si shoqëria shqiptare e artikulon pakënaqësinë e saj.

Gjatë fjalës së mbajtur para protestuesve, aktivistja iu përgjigj kritikave ndaj diskutimeve dhe mesazheve të përcjella nga podiumi i protestës, duke argumentuar se temat e ngritura prej javësh kanë munguar në debatin publik dhe në mediat tradicionale.

“Për të gjithë ata që thonë se fjalimet në këtë podium qenkan pa nivel, a i keni dëgjuar ndonjëherë këto fjalime për korrupsionin, për shëndetësinë, për autokracinë, për mediat, për oligarkinë, për partitë e vjetra politike? A i keni dëgjuar këto artikulime në mediat e kapura dhe të shitura, pronarët e të cilave janë edhe investitorë strategjikë?”, tha Vatnikaj.

Sipas saj, protestat e javëve të fundit kanë krijuar një formë të re përfaqësimi qytetar dhe kanë sjellë në qendër të vëmendjes çështje që, sipas saj, nuk janë trajtuar mjaftueshëm nga politika dhe media.

“Prej më shumë se tre javësh, shoqëria shqiptare, ju këtu në shesh, keni ndërtuar një artikulim të ri politik. Keni ndërtuar tanimë një kontratë të re sociale. Shoqëria shqiptare ka artikulim politik, ka edhe mllef dhe thotë: ‘Mjaft është mjaft’,” u shpreh ajo.

Aktivistja theksoi se, pavarësisht skepticizmit të disa kritikëve, protesta ka arritur tashmë një nga objektivat e saj kryesore: mobilizimin e qytetarëve.

“Për të gjithë ata që mendojnë se vapa, pushimet apo gjithçka tjetër mund ta ndalojnë këtë lëvizje, unë mendoj se ata presin suksesin e kësaj proteste. Suksesi është arritur. Shoqëria shqiptare ka dalë në rrugë, nuk është më e frikësuar dhe nuk mund të shantazhohet më me bukën e gojës. Njerëzit po kërkojnë një Shqipëri të re,” deklaroi Vatnikaj.

Ajo e mbylli fjalën e saj me thirrjen për një model të ri shoqëror dhe politik në vend.

“Unë jam këtu prej tre javësh për të thënë që nuk jetohet më kështu. Duam një Shqipëri të re, me një kontratë të re. Shqipëri e re!”, tha aktivistja.

Lini një Përgjigje